Tahiri: 690 vende të reja pune në sektorin e sundimit të ligjit

Tahiri ka thënë se miratimi i  buxhetit në lexim të parë, është një lajm tejet inkurajues

Ministri i Drejtësisë Ableard Tahiri ka thënë se buxheti i vitit 2018 përfshin rritjen më të madhe në 6 vitet e fundit në fushën e Drejtësisë, rritje për të cilën thotë se është angazhuar shumë gjatë mandatit të tij.

Tahiri në Facebook ka njoftuar se 690 vende të reja pune do t’i bashkëngjiten sektorit të sundimit të ligjit, në mes tyre gjykatës, prokurorë e bashkëpunëtorë profesional.

“Nga dita e parë e mandatit tim kam punuar që në kuadër të buxhetit për vitin 2018 të ketë rritje të theksuar për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për t’i dhënë mundësi fuqizimit të sektorit të sundimit të ligjit dhe sot jam shumë i lumtur që një gjë e tillë u arrit. Miratimi i buxhetit në lexim të parë, është një lajm tejet inkurajues për mundësitë që po krijojmë në adresimin e nevojave për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë, përfshirë edhe fushën e drejtësisë. Me këtë rritje të buxhetit për sektorin e sundimit të ligjit që është më e larta në gjashtë vitet e fundit, po krijojmë mundësi konkrete për një sistem efikas të drejtësisë. Rrjedhimisht, 690 vende të reja pune do i bashkëngjiten këtij sektori, në mes tyre gjykatës, prokurorë, bashkëpunëtorë profesional të cilët do ndikojnë në uljen e numrit të lëndëve dhe shqyrtimin më të shpejtë të tyre, si dhe oficerë korrektues që do rrisin sigurinë dhe performancën e trajtimit brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në postimin e Tahirit./21Media

 

Back to top button