Lajçak: Po mendojmë më shumë për veten se për njerëzit në Ballkan

Lajçak: Po mendojmë më shumë për veten se për njerëzit në Ballkan

Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak kritikoi BE-në, duke vënë në dukje se politika e zgjerimit është bërë jopopullore në disa shtete anëtare. Sipas tij, kjo është arsyeja pse procesi i integrimit evropian të Ballkanit është ngadalësuar.

“Po sillemi pak në mënyrë egoiste. Mendojmë për ne dhe pak për njerëzit në Ballkan që kanë shpresat e tyre. Nëse merremi vetëm me agjendën tonë, atëherë vendet e rajonit do të merren me diçka tjetër, kështu që shpejt do të bëhet problemi ynë”, paralajmëroi kreu i diplomacisë sllovake në një intervistë me televizionin austriak ORF.

Sipas tij, rajoni i Ballkanit Perëndimor po ndryshon dhe po përparon, megjithëse përparimi më i shpejtë do të ishte i dëshirueshëm.

“Ne duhet të pranojmë se BE po i kushton shumë më pak vëmendje Ballkanit, duke kërkuar reforma evropiane dhe duke mos ofruar një perspektivë evropiane. Mali i Zi tashmë është bërë anëtar i NATO-s në procesin e integrimit euroatlantik, ndërsa BE dhe oferta jonë po humbasin besueshmërinë në rajon”, tha ai.

Lajçak vuri në dukje se për shkak të kësaj ka alternativa të tjera, duke theksuar idetë nga Tirana dhe Prishtina për bashkim.

“E gjithë kjo është rezultat se BE, e cila është lider në rajon, nuk është kredibile,” tha ai, duke shtuar se gjithmonë ka alternativa të tjera, por asnjë prej tyre nuk është më e mirë se BE-ja.

“Gabojmë nëse mendojmë se në Ballkan do të kemi qeveri që garantohen të jenë pro-evropiane. Ne i dobësojmë ato qeveri me sjelljen tonë duke mos ofruar përkrahje dhe perspektiva të besueshme. Ne dobësojmë dhe forcojmë forcat antievropiane”, tha Lajçak.

Në këtë drejtim, ai vlerësoi se është e nevojshme që BE të lejojë hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Fillimi i negociatave nuk nënkupton anëtarësinë, por fillimi i një procesi serioz të futjes së standardeve evropiane në ato vende, një ndikim më i madh i BE-së në proceset në këto vende. Fillimi i negociatave do të thotë që BE është një lojtar serioz global, i cili është i gatshëm të ndikojë në ngjarje të ndryshme në fqinjësinë e saj”, u shpreh Lajçak.