Marrëveshje për promovimin e investimeve kanadeze në Kosovë

Lluka nënshkruan marrëveshje me Kanaden për rritjen e investimeve

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, së bashku me homologun e tij kanadez James Carr, sot kanë nënshkruar marrëveshjen për promovimin e investimeve kanadeze në Kosovë.

Kjo është marrëveshje tejet e rëndësishme për ekonominë kosovare ngase hap perspektivë për investime të kompanive kanadeze në Kosovë, thuhet në njoftimin e dërguar nga ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ministri Lluka në fjalën e tij gjatë nënshkrimit potencoj përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për të krijuar kushte të favorshme për investitorë në veçanti për kompanitë kanadeze.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është lajm i mrekullueshem për ne, kompanitë kanadeze kanë mundësi të jashtëzakonshme të investojnë në Kosove, kjo marrëveshje qartësisht shpreh përkushtimin tonë për të ofruar siguri për investitorët e mbi të gjitha mundësi punësimi dhe rritje ekonomike për vendin. Me këte marrëveshje Kosova do të jetë nyje e investimeve kanadeze në rajon”, ka thënë Ministri Lluka, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ndërsa, për ministrin Carr kjo marrëveshje është e një rëndesie të veçante ngase do i mundesojë kompanive kanadeze të investojnë në Kosovë si treg i ri në mes të Evropës.

“Kosova ka shtrirje të mrekullueshme gjeografike dhe fuqi të re punëtore, me nënshkrimin e kësaj marrëveshje ne po ju krijojmë kushte kompanive kanadeze të investojnë në Kosovë e po ashtu kompanive kosovare të eksportojnë produktet e tyre në tregun kanadez” tha Carr.

Ndryshe, kjo marrëveshje është nënshkruar në dhjetë vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve./21Media

Back to top button