“Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë”

“Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë”

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë”, e cila u hap sot në Gjenevë të Zvicrës dhe do të jetë e hapur për 10 ditë.

Kjo ekspozitë po organizohet nga Fondacioni “Ibrahim Kodra në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve ministri Matoshi përgëzoi artistët e rinj për kreativitetin e tyre dhe prezantimin e Kosovës përmes artit duke vlerësuar lartë idenë e tyre që përmes artit të promovojnë edhe mbrojtjen e mjedisit.

Matoshi po ashtu falënderoi drejtoren e fondacionit, Maria Pacolli për organizimin e kësaj ekspozitë që sipas tij ndikon mjaft mirë në imazhin e Kosovës në botë.

Në këtë ekspozitë morën pjesë Benjamin Nikoliqi, konsull i Kosovës në Gjenevë, diplomatë tjerë nga vende të ndryshme, familja e ambasadorit zviceran në Kosovë, etj.

Punimet që sot u ekspozuan në Gjenevë u krijuan përgjatë punëtorisë “Art Ecological Project”, në Muzeun Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Asociacionin Kombëtar të Autizmit në Kosovë, pastaj me punimet e nxënësve të Shkollës së Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan dhe komuniteteve të ndryshme si romë, boshnjakë, serb dhe turk.

Ekspozita reflekton bashkëjetesën natyrore dhe kulturore në Kosovë frymëzuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara si: Qytetet dhe Komunitetet e Qëndrueshme; Veprimi Klimatik, Shëndeti i Mirë dhe Mirëqenia.

Prezantimi i kësaj ekspozite pikërisht në mes të muajit qershor jo vetëm që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve (1 Qershori) dhe Ditën e Krenarisë Autiste (18 Qershori), por bazohet edhe në frymën e Ditës Botërore të Mjedisit (5 Qershori) për të inkurajuar vetëdijesimin në tërë botën dhe veprimet për të mbrojtur mjedisin tonë, si dhe për të mposhtur ndotjen e ajrit që është temë kryesore e këtij viti./21Media