Ministri Pacolli, pjesë e ministerialit të OBI-it në Stamboll

Pjesëmarrja e ministrit Pacolli në këtë ministerial është konceptuar si mundësi për të forcuar marrëdhëniet me vendet e kësaj organizate

Me ftesë të Qeverisë së Turqisë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, po merr pjesë në sesionin e 33-të të COMCEC-ut, organit ekonomik dhe bashkëpunimit tregtar të shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, në Stamboll të Turqisë.

Në sesionin e pasdites, Pacolli do t’i adresohet edhe më një fjalim sesionit ministror të njëzet e katër ministrave të Ekonomisë dhe Punëve të Jashtme të shteteve anëtarë të kësaj Organizate, të pranishëm në këtë takim.

Pjesëmarrja e ministrit Pacolli në këtë ministerial është konceptuar si mundësi për të forcuar marrëdhëniet me vendet e kësaj organizate, që tashmë e kanë njohur vendin tonë dhe njëkohësisht për të lobuar tek ato që ende nuk e kanë marrë këtë vendim.

Në margjina të këtij ministeriali, ministri Pacolli është takuar me disa delegacione dhe përfaqësues të nivelit të lartë të shteteve njohëse dhe jo-njohëse të Republikës së Kosovës.

Organizata e Bashkëpunimit Islamik përbëhet nga 57 shtete anëtare, prej të cilëve 36 shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Back to top button