Shala: MTI nuk do të lejojë abuzimin me çmime

Shala: MTI nuk do të lejojë abuzimin me çmime

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka kërkuar sot nga naftëtarët dhe shitësit e tjerë, që të reflektojnë duke zbritur çmimet e naftës

Në një konferencë për media, minsitri Shala bëri të ditur se qysh nesër do të hyjë në fuqi edhe urdhëresa, e cila i obligon shitësit e derivateve të ekspozojnë çmimet e secilit produkt, në mënyrë që të ndalohet abuzimi me çmime në dëm të qytetarëve të Kosovës. “Duke respektuar tregtinë e lirë, me mirëkuptim kërkoj edhe njëherë nga Shoqata e Naftëtarëve, importuesit, shitësit me pakicë që të reflektojnë dhe të zbresin çmimet e derivateve të naftës komfor zbritjeve që kanë ndodhur në berëzën ndërkombëtare”, tha ai.

Shala shtoi se është duke analizuar legjislacionin aktual, në veçanti nenin 9, i cili deri më tash asnjëherë nuk është implementuar.

Njëherësh, ministri i Tregtisë u shpreh se është i përkushtuar që çdo vendim ta bazojë në analiza të sakta dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, me ç’rast u shpreh se edhe për këtë vendim, ka siguruar fillimisht të dhënat e nevojshme e që siç tha ai, kjo analizë pritet të kompletohet shumë shpejtë.“Kjo urdhëresë do t’i obligojë operatorët ekonomik, do të thotë shitësit e derivateve të naftës, që të pasqyrojnë qartë në dimensione të mëdha, në tabela elektronike, do të thotë po flas për tabela elektrike, të cilat çdo pompë i ka në hyrje të saj, dhe në ato tabela ekspozohet, ashtu siç i obligon Ligji për mbrojtjen e konsumatorit, të obligohet çmimi për njësi i secilit produkt që ata e shesin në ato pika shitëse. Kjo urdhëresë do të hyjë në fuqi qysh nesër”, u shpreh ai.

Tutje, ministri Shala tha se urdhëresa ka për qëllim informimin e drejtë të konsumatorëve për çmimet e produkteve, para se ata të hyjnë në pikën shitëse të derivateve për të marrë produktin.“I siguroj konsumatorët e Kosovës, qytetarët tanë, njëkohësisht edhe bizneset se MTI, Qeveria e Kosovës, pas analizimit të saktë, të plotë dhe të drejtë të situatës aktuale, do të ndërmarrë veprime dhe masa, përfshirë edhe ndërhyrjet eventuale për të mos lejuar abuzimin me çmime në dëm të qytetarëve të Republikës të Kosovës. MTI do të mbështet çdo hetim të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, për të ndaluar çdo marrëveshje të fshehtë, kartel, apo të hapur të bizneseve në fushën e derivateve të naftës”, u shpreh ai.

Tutje, Shala u shpreh se në vitin 2019 do të angazhohen të miratojnë Ligjin e ri të naftës, i cili do ta rregullojë edhe më tutje tregun e naftës.