Forumet e sipërmarrjes private Shqipëri-Kosovë brenda dhjetorit dalin me një platformë "Shqipëri- Kosovë një realitet një ekonomi

Forumet e sipërmarrjes private Shqipëri-Kosovë brenda dhjetorit dalin me një platformë “Shqipëri- Kosovë një realitet një ekonomi

Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se në takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit doli fitues, do t’i propozojë ministri të veçanta të të dyja vendeve me qëllim të përmirësimi të marrëdhënieve në mes shteteve shqiptare. E si duket kjo ide i ka pëlqyer edhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Rama tha se këto ministri do të ishin adresë ku do të mund të adresoheshin sfidat në mes dy vendeve.

Derisa gjatë ditës së sotme është paralajmëruar një takim në mes të kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, rreth idesë së kryeministrit shqiptar për këto ministri ka folur anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila tha se Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka pranuar zyrtarisht këtë propozim, por që e mirëpresin një propozim të tillë.

Haxhiu tha se fuqizimi i raporteve në mes Kosovës dhe Shqipërisë do jenë prioritet i Qeverisë Kurti. Sipas saj, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të fokusohet në zbatimin dhe jetësimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mes Kosovës dhe Shqipërisë.“Fuqizimi i raporteve në mes Kosovë dhe Shqipërisë për Vetëvendosjen, për mua është tejet i rëndësishëm dhe në këtë drejtim çfarëdo propozimi që është në shërbim të interesave tona kombëtare pa dyshim që do të mbështete nga Lëvizja Vetëvendosje edhe nga qeveria e ardhshme…Interesat tona kombëtare do jenë prioritet i qeverisë Kurti, prandaj do punojmë fuqishëm në këtë drejtim jo vetëm për një ministri të tillë por ju e dini që ka një sërë marrëveshjes ndërmjet qeverisë së kaluar dhe në anën tjetër të Shqipërisë, dhe ato marrëveshje përveç që nuk janë bërë shumë publike nuk ka pasur as angazhimin më të vogël në zbatimin e tyre. Më tepër ka pasur qasje sa për t’u dukur që po bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë, sesa ka pasur një vullnet nga qeveria e kaluara po të kaluara për zbatimin apo jetësimin e tyre”, tha Haxhiu .

E në anën tjetër njohës të çështjeve ekonomike idenë ministrinë e Kosovës dhe tjetrën të Shqipërisë, po e vlerësojnë si deklaratë populliste e bërë për marketing politik. Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu lidhur me këto ministri, tha se ky propozim i Ramës është në vazhdën e shumë propozimeve tjera spektakulare. Sipas tij, nuk mund të ketë ngritje të nivelit të bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë me deklarata të tilla, pasi sipas Gërxhaliut nevojitet konkretizim në implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Nuk jetohet nga marketingu politik vetëm dalja në fotografi, neve na duhet konkretizim, vetë fakti që kemi një numër të madh të marrëveshjeve të cilat në çdo qeveri vetëm rishkruhen dhe nuk zbatohen është dëshmia më e mirë se në Shqipëri dhe Kosovë për bashkëpunim ekonomik në mes dy shteteve të një populli të ndarë shumë më tepër të flitet sesa që bëhet. Është koha që të jemi konkret dhe të kemi konkretizim të këtyre marrëveshjeve dhe një gadimshmëri. Në këtë drejtim është shumë më e rrugës të kërkohet përgjegjësi institucionale që ato të zbatohen sesa të dilet me parulla me deklarata të tilla kinse për një qeveri të përbashkët. Nëse e analizon bashkëpunimin në mes Kosovës dhe Shqipërisë është më shumë bashkëpunim në mes dy kompanive”, tha ai.

Gërxhaliu ka kërkuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama të jetë më serioz në zbatimin e obligimeve që i dalin Shqipërisë nga marrëveshje e Stabilizm-Asocimit. “Një propozim i tillë i Ramës është në vazhdën e shumë propozimeve spektakulare duke bërë fotografi impozante çoftë në Pejë, çoftë në Prizren duke gjeneruar deklarata sterile, në rend të dytë vjen me një deklaratë për president konsensual dhe kjo e fundit për një ministri të përbashkët është vetëm në vazhdën e atyre deklaratave që nuk mund tu besojnë edhe vetë këshilltarët e Ramës, por në fund të fundit edhe vetë Rama. Ajo çka mund të ishte e akceptuar për Ramën në këtë moment kishte me qenë të jetë më serioz në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin Shqipërisë nga marrëveshja për asocim-stabilizim që t’i përmbush nëntë pikat të rekomanduara nga dhe sundimin e rendit dhe ligjit të ketë prioritet”, u shpreh Gërxhaliu.

Përmes telefonit, kryetari i Dhomës së Tregtisë në Shqipëri, Nikolin Jaka duke mos dhënë shumë komente rreth kësaj ideje, tha forumet e sipërmarrjes private Shqipëri-Kosovë brenda dhjetorit do të dalin me një platformë të përbashkët që do t’u adresohet dy qeverive. “Forumet e sipërmarrjes private Shqipëri-Kosovë brenda dhjetorit dalin me një platformë “Shqipëri- Kosovë një realitet një ekonomi” qe ju drejtohet dy qeverive tona. Së çfarë bëjnë qeveritë dhe kryeministrat është pune e tyre”, tha përmes telefonit Jaka.

Ndryshe, në mes të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim ndërqeveritar në shumë fusha, por që zbatimi i tyre nuk është duke ndodhur.