MD fton Vetëvendosjen të mos ndërhyjë në procesin e organizimin e provimit të Noterisë

MD fton Vetëvendosjen të mos ndërhyjë në procesin e organizimin e provimit të Noterisë

Ministria e Drejtësisë ka ftuar publikisht Lëvizjen Vetëvendosje që t’i japë fund ndërhyrjes në procesin e organizimit të provimit të Noterisë.

Ata thonë se shembja e monopoleve është kërkesë e qytetarëve, kërkesë e partnerëve zhvillimor dhe është në funksion të plotë të qasjes më të lehtë e më efikase në drejtësi.

Sipas tyre, kjo ndërhyrje e VV është në dobi të grupeve të interesit që për shkak të rrethanave të mungesës së numrit të mjaftueshëm të noterëve, kanë zhvilluar një praktikë të plotë të monopolit në shërbimet noteriale.

Nga kjo ministri thonë se organizimi i provimit të Noterisë dhe vlerësimet e komisionit profesional janë çështje ekskluzivisht profesionale dhe jo politike.

Rrjedhimisht, Vetëvendosje, duke u përpjekur të nxisë sabotimin e këtij procesi profesional, në fakt, po merr në mbrojtje me qëllim akterë të caktuar që kanë përfituar miliona euro nga monopolet e tyre në fushën e Noterisë. Ministria e Drejtësisë i siguron qytetarët se është e vendosur për të realizuar në plotni reformën që synon rritjen e numrit të noterëve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe në të gjitha komunitetet e saj pa dallim. Pas përfundimit të këtij procesi profesional të provimit të Noterisë, do të fillojë faza e rekrutimit të tyre në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe në monitorim të ngushtë nga partnerët tanë zhvillimor”, thuhet në komunikatën e MD.

Ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje ka adresuar kritika ndaj ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahriri për procesin e rekrutimit të noterëve, duke thënë se i tërë procesi është komprometuar, pasi sipas tyre qëllimi kryesor i ministrit ka qenë dhënia e licencës militantëve partiak dhe të afërmeve të zyrtarëve të PDK-së për të vazhduar kapjen e shtetit.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu përmes një konference për media pati kërkuar që ky proces të ndalohet. Siç konsideron ajo, këta noterë të rinj do t’i përdorin për punët e pista që do iu duhet më vonë ministrit dhe partisë së tij./21Media