Ministria e Financave ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e tij për organizatat buxhetore, për 2 muaj të vitit 2020

Ministria e Financave ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e tij për organizatat buxhetore, për 2 muaj të vitit 2020

Ministria e Financave ka paraqitur pozicionin zyrtar lidhur me buxhetin e vitit 2020.

Ministria e Financave ka njoftuar se në përputhje me kërkesat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive pas procesit të zakonshëm të pranimit të kërkesave buxhetore, në pajtim edhe me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, me datën 31 tetor 2019 e ka dorëzuar në Qeveri propozim buxhetin për vitin 2020.

“Për shkaqe të njohura politike dhe ligjore, Qeveria nuk ka mundur të aprovojë projektligjin e buxhetit dhe ta dërgoj në Kuvend, për shkak se Kuvendi nuk ka ekzistuar. Ky propozim-buxhet mund të trajtohet dhe procedohet nga Qeveria e re tek Kuvendi i konstituuar, si organe të nxjerra nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Në pajtim me autorizimet ligjore, Ministria e Financave ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e tij për organizatat buxhetore, për 2 muaj të vitit 2020, ose 16.67% e ndarjeve finale vjetore të vitit 2019, përkatësisht deri me datën 28 shkurt 2020, pasi sipas ministrisë është plotësuar kushti, përkatësisht për shkak se zgjedhjet janë mbajtur në 4 muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal, si situatë e përcaktuar në LMFPP.

“Në pajtim me nenin 24, paragrafi 2 i LMFPP, vetëm Kuvendi mund të vendos për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për 1 muaj, përkatësisht për periudhën deri më 31 mars 2020. Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti, dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020”, ka sqaruar ministria përmes një njoftimi.

Sipas ministrisë, pas kalimit të afateve të lartpërmendura (28 shkurt, përkatësisht 31 mars), sipas kufizimeve të LMFPP, nëse ndarjet e lartpërmendura kanë skaduar dhe Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore nuk është miratuar, atëherë asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. Megjithatë, Ministria dhe Thesari janë të autorizuara që të bëjnë pagesa për larjen e një borxhi publik i cili është marrë në mënyrë të ligjshme sipas Pjesës IX të këtij ligji, në kohën kur ato pagesa maturohen.

“Pra, në situatën kur nuk miratohet ligji i ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri tek shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars (nëse ka vendim nga Kuvendi) dhe nga Thesari i Kosovës do të lejohen vetëm pagesat për borxhin publik mund të realizohen sipas afatit të pagesës, në pajtim me LMFPP, neni 24, paragrafi 3”, thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë.

Sipas praktikës parlamentare dhe opinioneve ligjore kompetente, duke qenë se Qeveria në dorëheqje nuk aprovon projektligje, dhe më tepër, projektligjin e buxhetit i cili përveç tjerash është edhe dokument politik i cili pasqyron objektivat strategjike dhe programin e qeverisë, sipas Ministrisë së Financave mbetet në përgjegjësi të institucioneve të dala nga zgjedhjet e vitit 2019 që të mundësojnë konstituimin e organeve të Kuvendit (Komisioneve parlamentare) si dhe Qeverisë, për të trajtuar çështjen e buxhetit dhe projektligjin e buxhetit për vitin 2020, si ndër veprimet e para më se urgjente, propozimin e të cilit si draft e ka dorëzuar Ministria e Financave në arkivin e Qeverisë./21Media