MPJ: Çmimi Nobel për Letërsi i është dhënë mohuesit të gjenocidit

MPJ: Çmimi Nobel për Letërsi i është dhënë mohuesit të gjenocidit

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka reaguar në lidhje me ndarjen e çmimit ‘Nobel’ shkrimtarit austriak Peter Handke.

“Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave, institucion me renome botërore, ndan çmimin prestigjioz Nobel për fusha të ndryshme bazuar në vlerësimin profesional, moral dhe etik. Mirëpo, neve gjykojmë që kësaj radhe çmimi i është dhënë njeriut të gabuar – mohuesit të gjenocidit. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës kërkon nga Akademia Suedeze të rishqyrtojë dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi një njeriu që mund të jetë gjenial si shkrimtar, por që në jetën publike është treguar mohues i të drejtave të njeriut duke dalë publikisht në anën e dikujt që më pas vdiq në Hagë si i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte.” thuhet në reagimin e MPJ-së

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës u bën thirrje edhe institucioneve relevante botërore, akademive shkencore dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ngrehin zërin e tyre dhe të shprehin kundërshtimin me vendimin e Komitetit të Nobel-it.

Sipas MPJ-së Emri i Petar Handke në Kosovë është sinonim i së keqës, mbështetës i një pushteti shovinist.

“Çmimet që i ndahen një njeriu të këtillë zhvlerësojnë përpjekjet e shoqerive demokratike për një botë paqedashëse. Nuk e nderojnë asnjë institucion akademik, as Akademinë Suedeze. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kapitulli II, Të Drejtat dhe Liritë Themelore, Neni 21, Pika 3 thuhet: Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve. Prandaj, bazuar në Kushtetutën tonë, populli i Kosovës të paktën, nuk mund të ketë respekt per vepren e z.Handke, dhe ndjehet i fyer që çmimi iu nda njeriut që dikur ia uronte ferrin.”, përfundon reagimi i MPJ-së.

Akademia suedeze e Shkencave dje ka shpërblyer me Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2018 autoren polake, Olga Tokarcuk, dhe autorin austriak, Peter Handke për vitin 2019. Vendimi për shkrimtarin austriak është cilësuar skandaloz nga përfaqësuesit institucional të Kosovës si dhe nga njohës të letërsisë botërore pasi që Handke ka përkrahur publikisht veprimet e Millosheviqit madje ka qenë edhe pjesëmarrës në varrimin e tij./21Media