Ministria e Punëve të Jashtme thirrje qytetarëve: Të shmanget qarkullimi nëpër Serbi

 

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë pas arrestimit të qytetarit Nezir Mehmetaj nga autoritetet serbe në territorin serb.

MPJ përmes një komunikate ka thënë se është obligim institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për t’u kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, duke vlerësuar se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi.

“Qytetarë të dashur, dëshirojmë të kemi vëmendjen tuaj, pasi që ky njoftim vjen si rezultat i arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e institucioneve të këtij vendi, gjithmonë në rrethana fiktive. Një numër i tyre madje edhe janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht. Bazuar në këto zhvillime, Ministria e Punëve të Jashtme ka bazë dhe evidencë të mjaftueshme të konstatoj që ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, Serbia, pa përjashtim, për qëllime politike dhe qëllime tjera jo demokratike, në kundërshtim me praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane, si dhe në kundërshtim më obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit, jashtëligjshëm, mund t’ju ndaloj arbitrarisht kalimin në territorin e saj”, thuhet në komunikatë.

MPJ ka ftuar Serbinë që përfundimisht të heq dorë nga praktikat fashiste, dhe të pranoj faktin që është pjesë e kontinentit evropian, ku liria e lëvizjes është e drejtë universale e secilit, dhe respektohet pavarësisht agjendave politike.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha institucionet e vendit i kanë ftuar dhe vazhdojnë t’i ftojnë institucionet e Bashkimit Evropian, dhe jo vetëm, që të korrigjojnë këtë sjellje agresive të Serbisë, por që fatkeqësisht deri më tani kjo nuk ka pasur asnjë efekt. Ndryshe nga këto praktika primitive të Serbisë, Republika e Kosovës vepron në formë të matur, të civilizuar dhe demokratike, dhe për dallim, nuk i trajton qytetarët e Serbisë në forma jo ligjore dhe jo demokratike, për aq kohë sa ata nuk janë të lidhur me krimin, dhe i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës”, përfundon komunikata.

Sipas MPJ-së ky njoftim mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë në lidhje me këtë zhvillim.

Një gjykatë serbe ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Nezir Mehmetajn, i cili u arrestua ditë më parë nga autoritetet e Serbisë.

Lajmin për këtë masë ndaj shtetasit të Kosovës, e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli.

Ai e ka dënuar vendimin e Gjykatës së Beogradit dhe ka thënë se kjo marrëzi duhet të marrë fund.

Pacolli ka bërë të ditur se është në kontakt të ngushtë me Brukselin dhe se ka alarmuar institucionet e Bashkimit Europian për arrestimin e Nezir Mehmetajt si dhe praktikën e vazhdueshme nga Serbia të ndalimit të shtetasve kosovarë.

“Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe duhet të ndalojë me përndjekjet dhe arrestime politike të shtetasve kosovar”, ka shtuar Pacolli./kallxo

Back to top button