Ministria e Shëndetësisë reagon për grevën e mjekëve

Ministria deklaron se duhet të mendojnë dhe të kujdesen edhe për gjendjen dhe trajtimin korrekt të pacientëve

Ministria e Shëndetësisë lidhur me grevën e mjekëve deklaron se ministria pret të miratohet buxheti për vitin 2019 dhe t’i hapet rruga për kalim në Kuvend edhe Projektligjit për pagat në sektorin publik.

“Ministria e Shëndetësisë po e përcjell me vëmendje grevën e punonjësve shëndetësor dhe gjatë këtij viti ka punuar për kërkesat e tyre.  Për këtë qëllim, është punuar në Projektligjin për pagat në sektorin publik, të cilin e ka miratuar Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të njëjtin e ka dërguar në Kuvend”, bëhet e ditur në komunikatën e ministrisë.

Me buxhetin për vitin 2019, sipas ministrisë, parashihet rritja e pagave në sektorin shëndetësor.

“Krahas angazhimeve të tjera, në këto momente duhet të mendojmë dhe të kujdesemi edhe për gjendjen dhe trajtimin korrekt të pacientëve tanë, duke u angazhuar njëkohësisht që të sigurohet më e mira edhe për profesionistët shëndetësor të gjitha niveleve”, bën të ditur MSh.

Ministria konsideron se të gjitha problemet mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit dhe dialogut social.

Ndërkohë, mjekët kanë paralajmëruar të mërkurën që do t’i radikalizojnë veprimet e tyre nëse qeveria nuk miratohet një ligj, me të cilin atyre do t’u rriteshin pagat./21Media

Back to top button