Qytetarët thonë se nuk janë pengesa, por e hijeshojnë atë pjesë

Qytetarët thonë se nuk janë pengesa, por e hijeshojnë atë pjesë

Vendosja e një ore të lartë 4 metra nga një kompani private, me leje të Komunë së Prishtinës, në të cilën do të ketë edhe reklama, përball shtatores së Presidentit Bill Klinton, ka shtyrë kryetarin e Shoqatës “Miqtë e Amerikës, Agim Rexhepin që të thërras policinë që t’i ndalojnë punimet, pasi sipas Rexhepit, vendosja e këtij objekti, do të mbulonte pamjen e Presidentit Clinton.

Rexhepi të shtunën pas një informacioni të marrë kishte njoftuar Policinë e Kosovës për të ndalur punimet pranë shtatores së Presidentit Bill Clinton, ndërsa këta të fundit së bashku me inspeksion kanë ndalur punimet.

Rexhepi ka thënë për KP se nuk kishin pasur njohuri më parë lidhur me këtë projekt, cili nëse ndërtohet do e pengonte pamjen e shtatores së mikut më të madh të shqiptarëve, Bill Clinton.

Rexhepi ka thënë se do t’i ndalin punimet pasi mbulojnë pamjen e shtatores dhe po ashtu është shprehur kundër vendosjes së reklamave në atë hapësirë.

Por, ndryshe mendojnë zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Udhëheqësi i sektorit për shërbime publike, Habib Qorri përmes telefonit ka thënë se vendosja e orës në Sheshin “Bill Clinton” është një konstruksion i vogël, e që në asnjë mënyrë nuk e  mbulon shtatoren e Presidentit të Amerikës Bill Clinton. Ndërtimi i kësaj ore sipas tij, është investim i një kompanie private, e cila për tri vite do të paguajë edhe qira për hapësirën reklamuese, ndërsa më pas do të mbetet tërësisht pronë e Komunës së Prishtinës, ndërsa ka shtuar se do të vendosen 6 ora të tilla në lokacione të ndryshme të qytetit.

Ndërsa, për qytetarin Besart Mjekiqi vendosja e një ore të tillë në sheshin “Bill Clinton”, vetëm sa do ta hijeshonte atë pjesë.

I një mendimi me Mjekiqin është edhe Donat Lushaku, për të cilin një orë e tillë do të shërbente si mjet orientimi.

 

Iska Kelmendi, i cili ndodhej aty kalimthi tha se secila prej këtyre të dyjave e ka vendin e vet.

 

Ndryshe, vendosja e shtatores së Presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton, është bërë me iniciativën e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, në lokacionin e ndarë nga Komuna e Prishtinës.

Në përurimin e shtatores ishte i pranishëm edhe Presidenti Clinton, e cila ishte një vizitë historike për Kosovën. Ndërsa, ndërtimi i orës planifikohet të bëhet në vendin ku Clinton u kishte folur qindra-mijëra shqiptarëve të mbledhur aty. Edhe ish Sekretarja amerikane, Hillary Clinton, kishte ndalur eskortën për ta parë shtatoren që miqtë shqiptarë i ndërtuan burrit të saj.