SBASHK-u pret kërkim falje

SBASHK-u pret kërkim falje

Gjykata e Apelit ka miratuar ankesën e SBASHK-ut, duke prishur kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për kompensimin e orëve të humbura mësimore, ku MASHT obligon personelin arsimor t’i kompensojnë orët që ishin humbur gjatë grevës që kishte zgjatur tri javë.

Apeli ka vendosur se lënda duhet t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

“SBASHK-u iu drejtua  Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamentit për Çështje Administrative duke kërkuar drejtësi, por  një gjykatëse duke u thirr në emocione, duke qenë edhe në presion nga një debat për orët e humbura në Parlamentin e  Kosovës, i cili u shoqërua edhe me akuza të pabaza e me një fjalor rrugësh të ndonjë deputeti, solli vendim që të  mbështetet vendimi i ministrit Bytyqi. Ky vendim i gjykatëses trimëroi disa Drejtori arsimore e disa drejtorë shkollash, që nisen me presione nga më të ndryshmet, por mësimdhënësit e Kosovës  qëndruan në vendimin  Këshillit Drejtues  dhe orët nuk u kompensuan. SBASHK-u duke qenë arsyeshëm i pakënaqur me vendimin  Gjykatës Themelore iu drejtua Gjykatës së Apelit të Kosovës me një ankesë në të cilën solli gjithë argumentet se Gjykata e shkallës së parë nuk ka nxjerr vendim të drejtë. Gjykata e Apelit ka sjellë aktgjykimin  e saj  duke miratuar ankesën e SBASHK-ut dhe duke  prishur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për Çështje Administrative A.nr. 552/2019, i datës 25.04. 2019”, thuhet në komunikatë.

SBASHK-u u shpreh se presin nga ata drejtorët e drejtorive arsimore dhe nga ata të shkollave, ministri dhe KMLDNJ që të kërkojnë falje, që sipas tyre, ushtruan presione ndaj mësimdhënësve për kompensim orësh.

Kujtojmë se në fillim të gjysëmvjetorit të dytë për tri javë mësimdhënësit kanë qenë në grevë, ku kanë kërkuar rritje të koeficientit. Më pastaj, Ministria e Arsimit ka vendosur që orët e humbura të kompensohen gjatë pushimit pranveror, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur./21Media