Miratohet ligji për Shërbimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës

U votua ligji i tretë për transformimin e FSK-së në ushtri

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për Shërbimin në Forcës së Sigurisë së Kosovës me 106 vota pro. Po ashtu, kanë kaluar 45 amandamentet e paraqituara në Raportin nga Komisioni funksional për këtë ligj.

Me këtë ligj përcaktohen dhe rregullohen kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky ligj zbatohet për Forcën e Sigurisë së Kosovës, përfshirë pjesëtarët aktivë, rezervë, kadetët, rekrutët dhe personelin civil të saj.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes me 106 vota pro dhe një abstenim nga gjithsej 107 deputetë që ishin në sallë. Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës me 107 vota pro.

Dita e sotme nga liderët e vendit dhe bashkësia ndërkombëtare veçanërisht Amerika është cilësuar si ditë historike për Kosovën. Në ditën kur po pritet votimi i ushtrisë së Kosovës, sheshi i Prishtinës është mbushur me flamuj të shteteve mike. Me flamuj amerikanë është mbushur edhe Mitrovica.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është themeluar në vitin 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit. FSK është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, ndërsa paraprakisht me përfundimin e luftës ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Transformimi i FSK-së në ushtri vjen 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një hap i tillë nuk arriti të realizohet deri më tani për shkak të pamundësisë së ndryshimeve kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë. Kështu, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për FSK-në ta bëjnë përmes ligjeve, pa prekur edhe emrin e FSK-së./21Media

Back to top button