Pritet t’i dërgohet Prokurorisë

Pritet t’i dërgohet Prokurorisë

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, miratoi unanimisht përkundër disa vërejtjeve draft raportin e punës dhe tashmë i njëjti pritet t’i dërgohet Prokurorisë.

Kryesuesi i komisionit në mbledhjen e fundit me këtë përbërje, Visar Ymeri tha se ky raport është i mirë, mirëpo nuk është arritë të përfundohet puna për shkak të mandatit, por i kjo mbetet legjislaturës së re për të vazhduar me këtë hetim së paku edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Deputeti Haxhi Avdyli tha se ky raport ka për bazë punën tonë, por ka disa mangësi në të ngase vetëm shkarazi janë përmend në të ndikimet politike.

“Në këtë krim që ka ndodhur në PTK që janë qindra milionësh, andaj në raport shumë pak përmendet bashkëkryerësit e krimit, e në këtë rast është politika. Zanafilla e këtij krimi ka filluar me qeverinë e parë pas pavarësisë, Qeveria ‘Thaci 1’”, tha Avdyli.

Ndërsa, deputeti nga PDK Bekim Haxhiu nuk u pajtua me diskursin e deputetit Avdyli.

“Kontrata e parë e dëmshme në PTK është nënshkruar nga anëtari i këshillit të LDK, Adnan Merovci dhe kjo ka ndodhë para vitit 2007. E përkrahi raportin në fjalë, por në të do të duhej të futeshin edhe kontratat e qirave dhe antenave, si dhe kontrata e ‘Karrotës’ që është mbi 3 milionë euro”, tha Haxhiu.

Edhe deputetja Albulena Haxhiu ka përkrahur raportin, por në mungesë të kohës nuk është arritë të intervistohen as ministra, ish-ministra, as kryeministri e ish-kryeministra.

“Përgjegjës sipas ish-menaxhmentit është edhe Ahmet Shala, ish-ministër. Përndryshe ne kemi mundur të bëjmë punë më shumë për shkak të kohës së kufizuar”, tha deputetja Haxhiu.

Deputeti Armend Zemaj nga LDK tha se janë tri arritje të këtij komisioni megjithë pengesat që ka pasur.

“Ky akticitet kriminal për ta zhvat PTK-në ka qenë organizim që ka qenë drejtpërdrejt i ndërlidhur me politikë, që kanë emra dhe mbiemra. Pjesa tjetër që kemi nxjerrë në pah janë kontratat e qirave dhe antenave. Manipulimi i punësimeve dhe gradat e tyre. Po ashtu si krim konsiderohet edhe donacionet për sponsorizim dhe media, në shumë prej rreth 30 milionë euro. Unë e kam vetëm një propozim, t’i bashkëngjiten të gjitha procesverbalet e intervistuarve, si dhe raporti i sindikatës. Ndërsa, si kopje e raportit t’i dërgohet prokurorisë së shtetit”, tha Zemaj.