Miratohet metodologjia e re e zgjerimit të BE-së

“Metodologjia e re bazohet në katër parime themelore”

Kolegji i Komisionit Evropian miratoi të mërkurën metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit në BE, qëllim i së cilës është rivendosja e perspektivës së besueshme evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.

Në konferencën për gazetarë në Bruksel, Varhelyi tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet ta miratojnë metodologjinë e re para Samitit BE-Ballkani Perëndimor – që do të mbahet në muajin maj në Zagreb – dhe paralelisht me fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Varhelyi tha se metodologjia e re bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë.

“Këto janë parimet me të cilat duam të sigurojmë se procesi do të jetë më i besueshëm, më dinamik dhe i udhëhequr më shumë nga politika”, tha Varhelyi.

Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni ka propozuar “plan të besueshëm dhe dinamik, i cili ia hap rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”./rel

Back to top button