Agjencia inkurajon subjektet se kanë të drejtë ta iniciojnë procesin e negocimit direkt me agjencinë

Agjencia inkurajon subjektet se kanë të drejtë ta iniciojnë procesin e negocimit direkt me agjencinë

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit sot miratoi Rregulloren për shitjen e aseteve të caktuara të ndërmarrjeve shoqërore me negocim direkt.

Rregullorja në rastin konkret përbën akt nënligjor të Agjencisë, e cila ka të bëjë me shqyrtimin e aseteve me natyrë specifike, të cilat evidentohen në emër të ndërmarrjeve shoqërore, përderisa të njëjtat në kuptim të Ligjit Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përfshihen nën juridiksionin e kësaj Agjencie.

Bordi i Drejtorëve mori një vendim të tillë, duke pasur parasysh faktin se ndaj ndërmarrjeve shoqërore dhe/ose aseteve të tyre, vazhdojnë të evidentohen një numër i konsiderueshëm i pretendimeve pronësore me natyrë potencialisht kontestuese, përderisa konstatimi i vlefshmërisë së këtyre pretendimeve kërkon një masë të konsiderueshme të kohës dhe punës profesionale.

Sipas Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bordi i Drejtorëve ka kompetencë që në harmoni me legjislacionin në fuqi, t’i shqyrtojë të gjitha ato kërkesa dhe/ose pretendime me natyrë specifike, të cilat kualifikohen si të tilla, kurse paraqesin pengesë në procesin e transformimit pronësor.

Agjencia inkurajon subjektet e ndryshëm (fizik dhe/ose juridik) se kanë të drejtë ta iniciojnë procesin e negocimit direkt me agjencinë, nëse paraprakisht konstatohet se pretendimet e tyre kualifikohen si raste specifike dhe iu referohen pasurive të ndonjë ndërmarrje shoqërore, e cila sipas legjislacionit në fuqi bie nën administrimin e këtij institucioni.

Në pajtim me legjislacionin në fuqi, inicimi i procedurës administrative për çështjet e shpjeguara si më sipër, bëhet sipas detyrës zyrtare të Agjencisë në emër dhe për llogari të ndërmarrjeve shoqërore dhe me kërkesën e palëve të interesuara, të cilat në Zyrat Rajonale dhe/ose në faqen zyrtare të agjencisë mund të pajisen me Formularin e kërkesës për inicimin e procedurës, i cili përmban elementet qenësore të kërkesës dhe disa nga udhëzimet parimore.

Për mbështetje, këshilla dhe shpjegime eventuale qytetarët kanë të drejtë t’i drejtohen zyrave rajonale dhe/ose Zyrës Qendrore të Agjencisë, ndërsa kërkesa e kompletuar dorëzohet në zyrën rajonale në territorin e së cilës gjendet patundshmëria.