Mirëmbajtja e higjienës sfidë për shumicën e shkollave fillore

Aktiviteti inspektues nëpër shkolla është shumë i vogël

Gjendja e shkollave të Kosovës në aspektin e mirëmbajtjes së higjienës nuk është aspak e mirë, dhe kjo po sjell mungesë të kushteve elementare për zhvillimin e procesit mësimor. Kështu u tha nga gjetjet e raportit të auditimit të performancës “Menaxhimi i mirëmbajtjes së institucioneve publike-arsimore”, të bëra nga Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm.

Ndihmësja e Auditorit të Përgjithshëm, Vlora Spanca tha se raporti ka treguar se sfidë për shkollat fillore në Kosovë mbetet mirëmbajtja e higjienës.

Mirëmbajtja e higjienës mbetet sfidë dhe problem i pa evitueshëm në shumicën e shkollave fillore. Duke përfshirë mjetet sanitare, inventarë, dhe pajisjet e shkollave. Po ashtu është raportuar se menaxhimi i mirëmbajtjes së shkollave është jo adekuat edhe tek shkollat e reja fillore. Edhe sipas planit zhvillimor të arsimit 2017-2021 viteve të fundit është fokusuar në rritjen e hapësirave nëpër shkolla, mirëpo sfidë mbetet sigurimi dhe mirëmbajtja adekuate e infrastrukturës, respektimi i mjediseve të shëndetshme”, tha Spanca.

Ajo tha se në bazë të këtij vlerësimi prej gjithsej 18 shkollave të analizuara, vetëm 7 prej tyre kanë pasur nivel mesatar të mirëmbajtjes së shkollave fillore, 4 prej tyre kanë arritur nivel minimal, ndërsa në 7 objekte shkollore janë identifikuar mangësi të mëdha në mirëmbajtjen e shkollave.

Raporti ka nxjerr në pah se institucionet publike nuk kanë siguruar mirëmbajtje në nivel të duhur të institucioneve arsimore dhe për pasoj nuk ofrojnë kushtet elementare për zhvillimin e procesit mësimor. Në tri komunat e audituara në përgjithësi gjendja e shkollave nuk është e mirë, nuk ka mirëmbajtje për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm. Nga 18 objektet shkollore që kemi vlerësuar vetëm 7 prej tyre janë në nivel mesatar dhe më të pranueshëm për zhvillimin e aktivitetit mësimor, 4 objekte mësimore kishin siguruar kushte minimale të mirëmbajtjes por prapë nuk kishin arritur nivel të kënaqshëm, përderisa në 7 objekte shkollore ka identifikuara mangësi të theksuara në furnizim me materiale dhe pajisje higjienike, gëlqerosjen e mureve dhe dezinfektimin e tyre”, tha Spanca.

Udhëheqësja e Departamentit për Auditimin e Performancës, Myrvete Gashi deklaroi se për realizimin e këtij raporti është analizuar periudha shkollore 2017-2018 në komunën e Prishtinës, Ferizajt dhe Vushtrrisë.

Raporti i performancës për menaxhimin e mirëmbajtjes së institucioneve publike-arsimore” është realizuar në gjithsej 18 shkolla të këtyre komunave, ndërsa janë përzgjedhur këto komuna për shkak të numrit të madh të nxënësve.

Periudha e auditimit ka qenë 2017-2018, fushëveprimi i auditimit ka përfshirë ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ku në kuadër të saj ka funksionuar komiteti ndërministror…Ndërsa në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës të Kosovës është përfshirë inspektorati sanitar. Sa i përket nivelit lokal ne jemi fokusuar në tri komuna në atë të Prishtinës, Ferizajt dhe Vushtrrisë këtu subjektet e auditimit kanë qenë drejtorit komunale të auditimit dhe inspektoratet sanitare”, tha Gashi.

Ndërsa, anëtarja e Ekipit për Vlerësim e Performancës, Ylfete Osmani tha se raporti ka vënë në pah se ministria e Arsimit ka dështuar të miratojë manualin për mirëmbajtjen e shkollave.

Sipas saj raporti tregon se aktiviteti inspektues nëpër shkolla është shumë i vogël.

Në aspektin e sigurimit të mirëmbajtjes dhe kushteve kemi vërejtur se Departamenti i Inspektoratit të Arsimit nuk ka arritur të jap një raport të përgjithshëm për kushtet e shkollave. Dhe nuk ka arritur të zhvillojë  një aktivitet inspektues të përgjithshëm në të gjitha objektet shkollore. Domethënë numri i aktiviteteve të inspektimit ka qenë tejet i vogël madje në raport 1 inspektim gjatë një periudhe të gjatë shkollore”, u shpreh Osmani.

Raporti i auditimit të performancës “Menaxhimi i mirëmbajtjes së institucioneve publike-arsimore”, ka rekomanduar nivelin qendror dhe lokal që hapësira publike të objekteve shkollore të mirëmbahet në vazhdimësi për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm.

Ndërsa për institucionet shkollore ka rekomanduar që të sigurojnë kushte të përshtatshme dhe elementare për zhvillimin e procesit mësimor, të organizoj mirëmbajtjen sezonale dhe rutinore duke shfrytëzuar në mënyrë racionale resurset teknike dhe njerëzore me qëllim të përmirësimit të kushteve për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

 

Back to top button