KEDS ndërton dy linja të reja për furnizim të Mitrovicës

KEDS ndërton dy linja të reja për furnizim të Mitrovicës

KEDS ka përgatitur dy linja të reja që do të lëshohen në punë deri në fund të javës për furnizim me energji elektrike të Mitrovicës. Këto linja do të lidhen në nënstacionin e ri të KOSTT-it Ilirida dhe do të bëjnë shpërndarjen e energjisë elektrike për Mitrovicën me fshatrat. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Sipas Buzhalës, me lëshimin në punë të këtyre linjave parashihet që furnizimi me energji elektrike i këtij qyteti të jetë shumë më stabil.

“Kjo pjesë e Mitrovicës deri tash është furnizuar nga linja 35 kV që vinin nga Vushtrria përmes Skenderaj e deri në Mitrovicë, ndërsa linja e dyte është për nënstacionin Shupkvci i cili tani është duke u furnizuar nga nënstacioni Trepça përmes linjave 35 kV. Por, tashmë linjat 35 kV do të eliminohen komplet, duke bërë që furnizimi të jetë shumë më efikas dhe më ekspeditiv”, theksoi Buzhala.

Ky hap parashihet të zgjidhë përfundimisht furnizimin me energji elektrike të një pjesë të konsiderueshme të qytetit. Kjo, pasi qendra, lagjet e afërta dhe disa fshatra, dekada me radhë janë furnizuar nga asetet e Trepçës, shumë të vjetruara.

“Tash, KOSTT ka ndërtuar asetet e veta, KEDS ka ndërtuar menjëherë linjat e reja për ta bërë ndërlidhjen e tyre me rrjetin distributiv dhe përfitues direkt janë mijëra konsumatorë”, përfundoi zëdhënësi i KEDS-it./21Media