Mitrovicasit janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë

Mitrovicasit janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë

Qeveria e Kosovës tashmë ka lejuar që zgjedhjet presidenciale serbe të mbahen edhe në Kosovë, derisa analistë dhe qytetarë të Mitrovicës shprehen kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e shtetit të Kosovës.

Analisti Nexhmedin Spahiu, mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë në këtë formë, e sheh si të pakuptimtë.

Sipas tij, këto zgjedhje është dashur të rregullohen përmes përfaqësuesit diplomatik serb në Kosovë, sikur që bëhen zgjedhjet e shtetasve turq në Gjermani, ose çfarëdo vendi tjetër.

Ai duke mohuar mundësinë e ndonjë incidenti gjatë ditës së zgjedhjeve në Kosovë, ka kritikuar qëndrimet e Qeverisë sa i përket hyrje-daljeve të kandidatëve presidencialë serbë në Kosovë gjatë fushatës.

Spahiu ka preferuar fitoren e kandidatit Nenad Çanak për kryetar të Serbisë, sepse siç u shpreh ai, është i vetmi kandidat për president që ka pranuar pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, edhe qytetarët janë shprehur kundër këtyre zgjedhjeve në vendin tonë.

Agim Dërguti tha se mbajtja e këtyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës nuk është e drejtë dhe se institucionet e Kosovës është dashur të marrin masa.

Shefqet Begu, qytetar, u shpreh po ashtu kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës. Ai tha se edhe shqiptarët e Luginës duhet pra të votojnë atje për zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë.

Në anën tjetër, përkundër përpjekjeve të KP-së për të marr ndonjë prononcim nga qytetarët dhe analistët serbë të veriut rreth zgjedhjeve që do të mbahen nesër, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ata nuk kanë dashur të flasin para kamerës rreth këtyre zgjedhjeve.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale të Serbisë do të mbahen të dielën më 2 prill dhe do të monitorohen nga Misioni i OSBE-së.

Ky angazhim i OSBE-së që bazohet në modelet e mëparshme të vitit 2012, 2014 dhe 2016, do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave, duke hapur katër qendra grumbullimi dhe degë përkatëse nëpër Kosovë, me prani të stafit të OSBE-së, ku më pas do t’i transportojë fletëvotimet në qytetet Rashkë dhe Vranje, për t’ia dorëzuar Komisionit Zgjedhor të Republikës së Serbisë për procedura të mëtejme.

Për një gjë të tillë OSBE ka marrë një kërkesë nga Beogradi dhe miratimin e Qeverisë së Kosovës.

Vendvotimet do të hapen të dielën në ora 7:00, ndërsa qytetarët e regjistruar në listat zgjedhore do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar deri në ora 20:00.