Jahjaga tha se ju rikujtojnë vajzave dhe grave që ndihen të kërcenuara se ato nuk janë vetëm

Jahjaga tha se ju rikujtojnë vajzave dhe grave që ndihen të kërcenuara se ato nuk janë vetëm

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka marrë pjesë sot protestën e mbajtur në Gjakovë  për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Valbona Markut dhe vajzës së saj nga bashkëshorti Pjetër Ndrecaj.

Me këtë rast, Jahjaga është shprehur se kriminaliteti i burrave që mbysin gratë, mundësohet nga një sistem i tërë që ka rrënjët në pabarazi dhe diskriminim.
“Një sistem që është i paaftë dhe i pa përkushtuar për të adresuar seriozisht shqetësimet, kërcënimet dhe paralajmërimet e shumta të grave për dhunen që ushtrohet ndaj tyre. Rikujtojmë, edhe sa thirrje të humbura? Edhe sa jetë duhet të shuhen që institucionet të vetëdijesohen për obligimin e tyre ndaj shoqërisë, përfshirë grave?”, ka thënë Jahjaga.

Sipas saj, nevojitet qendrim i palëkundur institucional që viktimat duhet mbrojtur dhe abuzuesit duhet të dalin para drejtësisë.

“Duke shpresuar që rastet e fundit tragjike nuk i dekurajojne gratë tjera për të kërkuar ndihmë, ne ju rikujtojmë vajzave dhe grave që ndihen të kërcenuara se ato nuk janë vetëm. Se së bashku do të bejmë të pamundurën për të mos lejuar që as edhe një emër tjetër të shtohet në listen e grave viktima të dhunës. Le të jetë ky marsh thirrja jonë e fundit: “Mjaft me vrasjen e vajzave dhe grave”!”, është shprehur më tutje Jahjaga.

Ndërkohë, Gjykata Themelore e Gjakovës ka njoftuar se Pjetër Nrecajt, i cili dyshohet se ka vrarë gruan dhe vajzën e tij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Nrecaj kishte vrarë gruan e tij, Valbona Marku-Nrecaj dhe të bijën e tij nëntë vjeçare, Klarën në Brekoc të Gjakovës më datën 07 gusht./21Media