Bajgora: Temperaturat tropikale kanë ndikuar në shtimin e pacientëve

Bajgora: Temperaturat tropikale kanë ndikuar në shtimin e pacientëve

Me ngritjen e temperaturave është rritur dhe numri i pacientëve, të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore. E më të rrezikuarit nga këto temperatura mbeten fëmijët, si dhe personat të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike, ato kardiovaskulare dhe të sistemit respirator.

Reanimatori në Qendrën Emergjente, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Avdush Bajgora tha se klima tropikale që po mbizotëron në vendin tonë, ka bërë që numri i pacientëve të rritet dukshëm.

“ Kohëve të fundit në vendin tonë dominojnë klima tropikale, gjë që ka ndikuar dukshëm në shtimin e pacientëve,  të cilët kërkojnë ndihmë në Qendrën emergjente si rezultat i këtyre temperaturave tropikale. Zakonisht pacientët të cilët kërkojnë ndihmë janë pacientët të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike, siç janë ato të sistemit respirator të sistemit kardiovaskular , të  sistemit të veshkave. Në mesin e tyre kemi dhe mjaft fëmijë që kërkojnë ndihmë dhe persona të tjerë… Kështu që të gjithë këtyre personave, iu rekomandojmë që prej orës 10 deri në orën 17:00 pasdite, që të qëndrojnë në vende të flladshme. Gjithashtu kemi edhe raste për shembull goditje të diellit, tek punëtorët që punojnë në lartësi në rrokaqiej, e që janë mjaftë të rrezikuar. Meqenëse temperaturat e larta mund të ndikojnë që në një moment të koabolojnë. Në këtë vit n uk kemi pasur raste të tilla, por viteve të tjera kemi pasur raste që punëtorët nga lartësia, si rezultat I temperaturave dhe humbjes momentale të ekuilibrit kanë përfunduar fatalisht”, tha Bajgora për KosovaPress.

Sipas tij, Qendra Emergjente si gjithmonë është e përgatitur,  për  një fluks më të madh të pacientëve, si pasojë e temperaturave të larta, të cilat do të jenë edhe në ditët në vazhdim. Ndërsa apelon që qytetarët në këto temperatura përveç shmangies nga dielli, të përdorin sa më shumë lëngje.

Ndryshe temperaturat e larta, pritet ta përshkojnë vendin edhe ditën e shtunë, ku temperaturat pritet të kalojnë mbi 40 gradë celsius. Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është e përgatitur për ditën e nesërme. Komuna do të vendosë dy cisterna me ujë në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe “Skënderbeu” ndërsa apelon te qytetarët që gjatë ditës mos të dalin në diell.