“Mjekët po migrojnë, t’i motivojmë që të japin kontributin në vendin e vet”

Sipas Sejdiut, viti 2019 për ShSKUK-në mund të jetë edhe vit historik

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu ka thënë se viti që lëmë pas për këtë institucion dhe sistemin shëndetësor në vend ka qenë vit i suksesit, pasi janë bërë investime të shumta në shumë klinika me qëllimin e vetëm për të ofruar shërbime sa më cilësore për pacientët.

Sejdiu në një intervistë për Kp, ka folur për investimet që kanë bërë, furnizimin me barna të listës esenciale, furnizimi me aparatura dhe për planet që kanë për vitin që sapo kemi hyrë.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka deklaruar se gjatë vitit që e kemi lënë pas janë realizuar dy projekte të rëndësishme, siç është trajtimi i infarktit akut në dy orët e para dhe strock center apo trajtimi i infarktit në tru.

“Mund të themi me krenari se viti 2019 për sistemin shëndetësor në Kosovë, në fakt për ShSKUK-në mund të jetë edhe vit historik. Kur e them këtë bazohem në dy projekte nacionale e që janë trajtimi i infarktit në dy orët e para, që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, si dhe strock center apo trajtimi i infarktit në tru. Trajtimi i infarktit akut në dy orët e para është një projekt të cilin nuk e kanë të gjithë në rajon, është projekt shumë i rëndësishëm për popullatën dhe për pacientët tanë, ku shihen rezultatet në terren shumë jetë janë shpëtuar, shumë procedura janë kryer, rreth 3 mijë e 500 intervenime janë bërë procedura invazive, mbi 330 intervenime në zemër në Kardiokirurgji dhe të gjitha këto flasin që mund të themi që është vit historik sa i përket këtyre dy projekteve, të cilat e kanë rëndësinë e vet të veçantë”, ka thënë ai.

Kreu i ShSKUK-së ka theksuar se gjatë vitit 2019 nuk ka ndodhur asnjëherë të përballen me mungesë të barnave të listës esenciale, e në këtë sipas tij, ka ndikuar digjitalizimi i shërbimit farmaceutik.

“Sistemi i menaxhimit të stokut farmaceutik, që neve na ka lehtësuar shumë ndërtimi i 101 barnatoreve klinike dhe reparteve, futja e softuerit dhe digjitalizimin e shërbimit farmaceutik, na ka mundësuar që të kemi një planifikim më të mirë, një monitorim dhe kontroll të barnave të cilat hyjnë në ShSKUK dhe kjo ka rezultuar që të kemi një furnizim të kënaqshëm, bile edhe krijim të stoqeve për fillim vitin 2020”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, gjatë vitit 2019 janë bërë investime të shumta në furnizimin e klinikave me aparaturë. E krejt ky investim, ai ka shtuar se ka ndikuar që të këtë shërbime më cilësore për pacientët dhe të cilat janë më pak të kushtueshme. Ai ka treguar se mbi 6 milionë euro kanë investuar në aparaturë në të gjitha klinikat e QKUK-së, ndërsa ka përmendur se një vit më parë kanë pasur investime rreth 3.5 milionë euro.

I pari i ShSKUK-së ka deklaruar se kanë bërë blerjen e materialit shpenzues në mungesë të të cilit pacientët janë dërguar jashtë institucioneve publike për trajtim, e që ky referim thotë se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit dhe të pacientëve.

Sipas Sejdiut, se me blerjen e këtij materiali shpenzues është ndalur referimi jashtë institucioneve publike, e që sipas tij, ka ndikuar që të kursehen miliona euro.

“Sa i përket kursimeve, ndalja e referimit jashtë institucioneve publike janë kursyer miliona euro, për Kardiokirurgji deri në 15 milionë euro, mandej vetëm blerja apo shndërrimi i blerjes së CD-ve që atëherë kanë qenë filma me aparat të ri kemi bërë transformimin janë kursyer vetëm këtë vit 4 milionë euro. Kemi kursyer mjaftë shumë, qoftë me shërbime, qoftë me material shpenzues dhe krejt kjo na bënë që ne buxhetin ta orientojmë në atë formë që vërtetë të jetë në funksion të institucionit, e institucioni në funksion të pacientit”, ka shtuar ai.

I pari i ShSKUK-së ka folur edhe për ligjin e pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetutese, për të cilin ligj ka bërë të ditur se ka qenë mjaft i mirë për mjekët dhe infermierët.

Sipas tij, rritja e pagave do të ndikonte që të ndalej migrimi i mjekëve, pasi që do të kishin motiv për të punuar në vendin e tyre.

“Qysh ditën e parë kur ka hyrë në fuqi ka qenë një lajm shumë i mirëpritur edhe për institucionin tonë, po edhe për stafin që punon, sepse motivimi i stafit dhe ngritja e këtyre pagave vërtetë është gjëja më e mirë që mund të ndodh kur është fjala për mjekët dhe infermierët. Mandej ka qenë që me akte nënligjore, me amendamente të rregullohet çështja e profilizimit që nuk ka ndodhur me këtë pako, mirëpo kthimi në pikën zero që mjekët të mos paguhen me një pagë dinjitoze që edhe e meritojnë, mendoj që nuk është e dobishme, sepse në këtë fazë qysh janë edhe regjioni edhe krejt bota shihet që mjekët migrojnë, do të thotë është një investim shumë i gjatë, është një nevojë shumë e madhe dhe tash shihet që nevoja për mjekë në Evropë, në Gjermani është mjaftë e madhe dhe rruga më e mirë është që ne t’i motivojmë që të japin kontributin në vendin e vet”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Sejdiu ka potencuar se gjatë vitit 2019 kanë investuar edhe në spitalet regjionale, për çka ka theksuar se do të vazhdojnë edhe gjatë vitit që sapo kemi hyrë. Sejdiu ka folur edhe për planet që i kanë për vitin 2020, ku tha se do të vazhdojnë t’i avancojnë të gjitha shërbimet, të përfundojnë projektet, të cilat veç kanë filluar dhe ngritjen e shërbimeve të reja.

Back to top button