8 të arrestuar nën dyshimin për përfshirje në sulmin në Mançester

Pas sulmit terrorist në Britani

Policia britanike ka njoftuar se ka arrestuar dy persona tjerë, nën dyshimin se kanë qenë të lidhur me sulmin terrorist, i cili u ndërmor të hënën në Mançester.

Nën dyshimin për lidhje me këtë sulm deri me tani janë arrestuar gjithsej tetë persona, në mesin e tyre edhe babai dhe dy vëllezërit e sulmuesit, Salman Abadi.

Abedi 22 vjeçar ndërmori sulmin gjatë një koncerti në Mançester Arena, duke vrarë 22 persona dhe duke plagosur mbi 100 të tjerë.

Sipas njohurive të reja të shërbimeve britanike të inteligjencës, katër ditë para sulmit të përgjakshëm Abedi kishte shkuar në qytetin gjerman, Dyzeldorf, ndërsa dy muaj më herët në Libi, ku besohet se është radikalizuar.

Gjithashtu u zbulua se ai nuk është anëtari i vetëm i familjes i afërt me organizatat ekstremiste islamike. I Ati i tij në vitet e 90-ta ka qenë pjesëtar i një grupi të afërt me Al Kaidën, ndërsa dy vëllezërit e tij, Ismaili dhe Hashemi u arrestuan për shkak të dyshimit se kishin planifikuar një sulm tjetër.

I ati Ramdan Abedi dhe vëllai më i ri i sulmuesit, Hashem Abedi, u arrestuan të mërkurën në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, ndërsa vëllai i tij i madh, Ismajli, u arrestua të martën në Angli.
Më herët, gjatë një interviste telefonike me agjencinë e lajmeve, Asoshiejted Pres, Ramdan Abedi kishte theksuar se i biri i tij nuk e ka ndërmarrë sulmin në Mançester, pasi që nuk është një njeri, i cili do të hidhte vetën në ajër në mesin e njerëzve të pafajshëm.

Sipas mediave britanike, familje Abedi ishte arratisur nga Libia në vitin 1993, pasi që shërbimet e inteligjencës së udhëheqësit të atëhershëm, Muamar Gadafi, kishin lëshuar urdhër për arrestimin e tij. Ramdan mori Azil në Angli, ku edhe lindi Salmani. Pas përmbysjes së Gadafit nga pushteti, një pjesë e familjes u kthye në Libi, por Salmani dhe Ismajli qëndruan në Angli. Megjithatë, ata në vazhdimësi kanë vizituar familjen në Libi dhe policia britanike tani beson se gjatë këtyre vizitave ata u radikalizuan.

Back to top button