Kapiteni i Kroacisë thotë se analistët në Angli kanë treguar mungesë respekti për kroatët

Kapiteni i Kroacisë thotë se analistët në Angli kanë treguar mungesë respekti për kroatët

Kombëtarja e Kroacisë shkroi historinë duke u kualifikuar për herë të parë në histori në finalen e Kampionatit Botëror, pasi mposhti Anglinë 2-1.

Mesfushori dhe kapiteni i kroatëve, Luka Modric, deklaroi pas ndeshjes që njerëzit të cilët besonin se ata janë të lodhur, i motivuan më shumë që të tregonin vlerën e tyre në sfidën e mbrëmshme.

“Treguam edhe njëherë që nuk jemi të lodhur. E dominuam ndeshjen në të gjitha aspektet”, tha Modric.

“Gazetarët anglezë, analistët nëpër televizione, nënvlerësuan Kroacinë dhe ky ishte një gabim i madh i tyre”.

“Ata duhet të tregojnë më shumë respekt për kundërshtarët”.

“Pas gjithë këtyre fjalëve të tyre, që ne i lexonim thamë me njëri tjetrin ‘në rregull, të shohim se kush do të jetë i lodhur në fund’.”

Kroacia të dielën do të luajë finalen e madhe ndaj Francës.