Mogherini dhe Hahn thanë se presin formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës

Mogherini dhe Hahn thanë se presin formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, vlerësuan se zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë kanë qenë “të qeta dhe të rregullta”.

Dy zyrtarët, që merren drejtpërdrejt me çështjet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, thanë se presin formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të vazhdojë të punojë në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social, në sundimin e ligjit, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Presim që të gjithë akterët politikë të mbeten të përkushtuar ndaj këtyre proceseve që janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, për përparim në rrugën evropiane dhe, më e rëndësishmja, për përfitimin e qytetarëve të Kosovës dhe të të gjithë rajonit”, thanë Federica Mogherini dhe Johannes Hahn.

Zyrtarët e BE-së morën të martën një raport nga misioni i tyre vëzhgues, i cili ishte vendosur në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 6 tetor.

Rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve e kanë nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës./Rel