Ka filluar takimi Mogherini-Vuçiq

Ka filluar takimi Mogherini-Vuçiq

Krerët e shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj po qëndrojnë në Berlin, për të marrë pjesë në Samitin e Berlinit.

Tash ka filluar takimi mes presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësues së lartë të BE-së, Federica Mogherinit. Në këtë takim tema kyçe do të jetë procesi i dialogut, zhbllokimit të procesit të dialogut. Pas këtij takimi në orën 14:15, edhe kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillojë takim me Mogherinin, e në këtë takim theks i veçantë do t’i jepet procesit të liberalizimit të vizave, e që sipas Thaçit kjo është një kërkesë urgjente dhe se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin.

Sot, krerët e shtetit, Thaçi e Haradinaj kanë zhvilluar takim me zyrtarët e ambasadës së Kosovës në Berlin. Të dy e kanë quajtur të rëndësishëm Samitin e Berlinit.

Të pyetur rreth një draft-dokumenti që ka qarkulluar gjatë ditës së djeshme, me të cilin Kosova e Serbia zotohen për angazhim në dialog, ata mohuan të jenë në dijeni për një dokument të tillë.

“Nuk ka një draft, a një dokument as të dakorduar as të informuar paraprakisht, por ajo që është me rëndësi e që e kemi thënë çdo herë, Kosova i ka qëndrimet e veta dhe besoj që edhe sonte do të jemi në nivel të përgjegjësive tona”, shtoi Haradinaj.

Presidenti i vendit i pyetur se a do të pranojë një draft-marrëveshje ku përfshihet edhe korrigjimi i kufijve, ai ka deklaruar se është kundër shkëmbimit të territoreve, por e mbështet idenë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

“E theksoj, nuk ka dialog e negociata pa SHBA-të, Kosova vend i pavarur e sovran, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc kanë me kon me Kosovë, krejt mirë ka me u bo”, ka deklaruar Thaçi.

 Samiti do të vijojë me diskutimet për raportet e ndërfqinjësisë dhe mundësitë e pajtimit, nga ku do të kërkohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi./21Media