Akademi përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së Bekim Berishës, Bedri Shalës,, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës

Akademi përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së Bekim Berishës, Bedri Shalës,, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës

Më 10 gusht të vitit 1998, Bekim Berisha i njohur edhe me nofkën “Abeja” si njëri ndër luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrafshin e Dukagjinit, kishte vdekur pas një luftimi disa orësh me forcat serbe.

Bekim Berisha kishte lindur më 15 qershor të vitit 1966  në fshatin Graboc të Pejës. Gjyshi i dëshmorit, Nexhip Selmani, kishte luftuar kundër pushtuesve serbë vite me radhë

Prindërit Fazli dhe Fahrije Berisha kishin gjashtë fëmijë: pesë djem dhe një vajzë, ndërsa Bekimi ishte fëmiu i gjashtë me radhë. Bekim Berisha shkollën fillore e kreu në Gorazhdevc të Pejës, ndërsa shkollën e mesme të Artit, në Pejë.

I rritur dhe i edukuar me kujdes dhe krenari nga gjyshi dhe babai, të cilët me dashuri ia kishin kultivuar ndjenjat kombëtare në shpirtin e njomë të luftëtarit të ardhshëm të lirisë së Kosovës, Bekim Berisha, në pamundësi që të vazhdonte studimet, ishte detyrua ta braktisë Kosovën. Stacioni i parë për mërgimtarin e ri nga Graboci i Pejës kishte qenë Kroacia.

Në fillim kishte punuar si punëtor krahu, ishte marrë me punë të rënda fizike, në mënyrë që të sigurojë ekzistencën, vetëm e vetëm që ta ndihmojë familjen dhe të regjistrohet në Fakultetin e Hotelerisë në Opati dhe atë të Veterinarisë në Zagreb. Të dy këto Fakultete i kishte përfunduar me sukses. Sa qëndroi në Kroaci, Bekim Berisha kishte mësuar gjashtë gjuhë të huaja, kështu që kishte arritur të lexonte edhe literatura të ndryshme, ekonomike, turistike e deri te ajo ushtarake.

Në këtë kohë, në fillim në Kroaci e më vonë edhe në Bosnjë kishte shpërthyer lufta e kroatëve dhe boshnjakëve kundër regjimit kolonial serb. Edhe pse me profesion nga fusha e turizmit dhe veterinarisë, Bekim Berisha pa hezituar iu kishte përgjigjur vullnetarisht ftesës për luftë kundër këtij regjimi. Në atë kohë Bekim Berisha kishte jetuar në Holandë, por e kishte lënë jetën perëndimore dhe ishte radhitur përkrah luftëtarëve kroatë përkatësisht njësiteve elite kroate.

Si luftëtar dhe strateg në luftën kundër serbëve në Kroaci, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë kroate e kishte dekoruar Bekim Berishën me gradën e Gjeneralit! Nga lufta e Kroacisë Bekim Berisha kishte kaluar në luftën e Bosnjës, përsëri kundër forcave serbe, duke marrë pjesë në shumë beteja të ashpra. Situata pas luftës në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë tregonte qartë se nuk ishte e largët dita kur edhe në Kosovë do të fillonte lufta. Andaj Bekim Berisha në fillim të marsit të vitit 1998 me një grup shokësh mërgimtarë kishte hyrë në mënyre ilegale në Kosovë, duke u sistemuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim ishte sistemuat në Açarevë të Drenicës, ku dhe filloi organizimin dhe përgatitjet e para me ushtarët e rinj për mësimin e artit ushtarak. Më 22 prill 1998 në Açarevë Bekim Berisha me luftëtarë të tjerë të UÇK-së kishte ngritur flamurin shqiptar dhe hapur Akademinë Ushtarake. Mirëpo, në këtë kohë luftimet në mes të forcave serbe dhe atyre të UÇK-së u ishin ashpërsuar shumë në Zonën Operative të Dukagjinit. Bekim Berisha bashkë me dëshmorin Bedri Shala kishin shkuar në Gllogjan të Deçanit, duke u bërë kështu krah i fortë i komandantit Ramush Haradinajt dhe luftëtarëve të Dukagjinit. Atje Bekim Berisha kishte treguar shkathtësi në përgatitjen ushtarake të ushtarëve të rinjtë, e sidomos edhe në bartjen, sigurimin dhe grumbullimin e armatimit.

Luftëtari i UÇK-së Bekim Berisha, në Betejën e Junikut, më 29 maj 1998, ishte angazhuar në mbrojtje e kësaj zone, e cila kishte një rëndësi të veçantë strategjike, duke dhënë kontributin maksimal në mbrojtjen e këtij fshati që të mos biente në duar të forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar me një arsenal të madh ushtarak e njerëzor. Dhe pikërisht rënia e Bekim Berishës ne fushë të nderit, bashkë me luftëtarët trima Bedri Shalën, Elton Zherkën, Përmet Vulen, Bashkim Lekun etj. bëri që Juniku të biente në duar të forcave serbe. Ishte ajo dita e 10 gushtit 1998 kur nga një predhë topi kishte rënë Bekim Berisha, duke hyrë në përjetësinë e luftës për çlirim të Kosovës nga forcat serbe.

Për meritat dhe heroizmin e Bekim Berishës në luftë kundër regjimit të egër serb që kishte sunduar gati një shekull në Kosovë, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, pas përfundimit të luftës, e kishte graduar me gradën Gjeneralmajor. Bekim Berisha në fillim ishte varrosur në Junik. Më vonë ishte bërë rivarrimi në vendlindje dhe aty i ishte ngritur lapidari që shndrit nure dhe është udhë-rrëfim për brezat e ardhshëm.

Edhe pse historianët mendojnë se domeni i fushë-veprimtarisë së individit e ngushton fushën e interesimit të historianit, figurat markante siç është figura e Bekim Berishes, është përgjegjësi e madhe për çdo pendë historike që do të merret me këtë figurë.

“Serbët nuk donë diplomaci veç luftë” kishte thënë ai në një nga seritë e videove të rralla që AP pati publikuar e ku flet edhe Berisha gjatë luftës.

Në një video “Abeja” shfaqet edhe para trenit, i cili është i mbushur edhe me polici serbe dhe i cili po zhvendosej por kishte thënë se ”Ne mund t’i vrasim por ne nuk jemi terrorist”.

Ai më pas në një deklaratë tjetër kishte thënë se serbët nuk kuptojnë dialogun, por vetëm marrëdhëniet “Zjarr për zjarr”.

Ndryshe, sot nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të mbahet Akademi Përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorëve Bekim Berishës, Bedri Shalës,, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës. Akademia Përkujtimore do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë në orën 12:00.