Kryemadhi u zgjodh sot kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim

Kryemadhi u zgjodh sot kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim

Konventa Kombëtare Zgjedhore e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) zgjodhi pasditen e sotme, Monika Kryemadhin kryetare të kësaj force politike. Kryemadhi u zgjodh kryetare e LSI-së me votim të hapur, nga 2300 delegatë që kishin mbushur ambientet e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

Në hapje të punimeve të Konventës, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama u shpreh se LSI do jetë një opozitë e fortë në Kuvend dhe do përfaqësojë denjësisht qytetarët shqiptarë, të cilët sipas tij, në masën 75% refuzuan të votojnë Rilindjen.

Edhe Petrit Vasili, i cili dha dorëheqje nga kreu i LSI-së, që tashmë do të drejtojë grupin parlamentar të LSI-së, tha se këto vota që mori LSI, janë themelet e betonit të një opozite të vërtetë që i ka munguar këtij vendi.

Kurse në fjalën e mbajtur në këtë Konventë, pas zgjedhjes së saj si kryetare e LSI-së, Kryemadhi siguroi për një opozitë të fortë e pa ekuivokë kundër krimit.

“Kjo është një rrugë që nuk ka kthim pas. Jemi forca kryesore opozitare në vend dhe kemi një punë të madhe përpara. Ne do të vazhdojmë të jemi një opozitë e vërtetë”, tha kryemadhi në fjalën e saj.

Sipas saj LSI-ja sot është e vetmja forcë opozitare dhe premtoi se do të punohet për hartimin e një plani ekonomik e social të vendit.

“Sot ju më dhatë votën për t’ju drejtuar në opozitë. Kjo është një detyrë pa kushte për mua. Nuk do të ndalem asnjë minutë, asnjë sekondë, jo vetëm për të denoncuar, por për të luftuar deri në fund që ky vend të mos jetë më vend i krimit dhe oligarkëve, qoftë edhe me çmimin më të shtrenjtë, atë të jetës sime”, tha Kryemadhi.