Këngëtares i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta

Këngëtares i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka vizituar sot këngëtaren, Nexhmije Pagarusha. Pas propozimit të ministrit Gashi, Qeveria e Kosovës muajin e kaluar mori vendim që këngëtare,  Nexhmije Pagarusha t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe.

Këtë vendim ministri Gashi ia dorëzoi sot këngëtares, Nexhmije Pagarusha gjatë vizitës që i bëri në banesën e saj. Me këtë rast, ministri Gashi shprehu falënderim të veçantë për këngëtaren Pagarusha, duke thënë se “Bilbili i këngës shqipe” Nexhmije Pagarusha ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe traditave të vendit tonë me pjesëmarrjen e saj në festivale e skena të njohura ndërkombëtare.

Po ashtu, ai njoftoi se nga muaji i kaluar  Pagarushës kanë filluar t’i transferohen mjetet në baza mujore. Ministri u zotua që do të vazhdojë të ndihmojë krijimtarinë e saj artistike, duke ia bërë monografinë dhe njëkohësisht edhe kompleksin në Pagarushë, pikërisht afër shtëpisë së saj.

Ndërkaq, këngëtarja Nexhmije Pagarusha falënderoi ministrin për kujdesin e tij në vazhdimësi ndaj saj dhe për iniciativën e marrë për mbështetje financiare.