Raufi: Do të vijmë deri tek kryerësit e vërtetë të veprës

Raufi: Do të vijmë deri tek kryerësit e vërtetë të veprës

Pas dy apo tre seancave për rastin “Monstra” dyert e gjykatës do të hapen dhe seancat do të jenë publike. Kështu deklaruan dy avokatët Naser Raufi dhe Dafinka Ivanovska.

Raufi është optimist se e vërteta do të del në shesh, por tha se nga Prokuroria Publike Speciale, deri tek ai dhe avokati tjetër Asmir Alispahiq nuk ka arritur asnjë dëshmi e re për “Monstrën”.

“Jam i sigurt që do të vijmë deri tek kryerësit e kësaj vepre penale. Megjithatë, nga Prokuroria Publike Speciale as nuk na janë dorëzuar as nuk janë përfshirë në lëndën gjyqësore, dëshmitë. Pas kontrollit që e bëmë tash, ne nuk vërejtëm që janë dorëzuar. Megjithatë për shkak të ndjeshmërisë të dëshmive para se të kyçen, ne si mbrojtje do të kemi mundësinë t’i dëgjojmë të njëjtat. Për ne, me rëndësi është të vijmë tek e vërteta”, deklaroi Raufi.

Sipas tij, është mirë që PPS-ja do të bëhet pjesë e prokurorisë së rregullt dhe do t’i jepet mundësi për zbardhjen e plotë të rastit.

Nga ana tjetër avokatja e familjarëve Dafinka Ivanovska tha se për momentin nuk ka ndonjë gjë të re dhe se po dëgjohen bisedat e përgjuara.

“Biseda të reja nuk ka shumë, ka vetëm disa me kërkesë të prokurorisë dhe mbrojtjes. Megjithatë nuk kanë shumë dallim në përmbajtje. Se si do të jetë në të ardhmen, a do të ketë diçka të tretë nuk mund të thuhet”, tha Ivanovska.

Sipas Ivanovskës është në dorë të PPS-së ajo se a do të dalin në pah kryerësit e vërtetë të veprës. Ndryshe seanca e sotme u mbajt me dyer të mbyllura për opinionin dhe në të janë dëgjuar biseda të përgjuara, që kanë të bëjnë me rastin. Të akuzuar në këtë rast janë, Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta. Të lartë-përmendurit akuzohen për vrasjen e pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës./21Media