Poezia e Dritëro Agollit

Poezia e Dritëro Agollit

Dritëro Agolli është ndër shkrimtarët më të njohur në Shqipëri i cili ka lindur më 13 tetor 1931 në Devoll. Ai ka qenë poet, prozator, gazetar dhe politikan i njohur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX.

Ai la pas një krijimtari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama dhe skenarë filmash.

Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë e kanë bërë atë më të veçantë. Në poezinë “Mos ma kujto” aq bukur e përshkruan ndjenjën e të ardhurit keq saqë mund ta ndjesh çdo fjali të tij./21Media

Mos ma kujto

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura,
Mos ma kujto,
Për shembull, më pe me duar të lidhura,
Mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rrugë të pirë,
Mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë,
Mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë,
Mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe,
Mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfatë,
Mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë,
Mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë,
Mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë,
Mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ngrënë e gënjyer,
Mos ma kujto,
Të prishur, të shthurur, të rënë e të thyer,
Mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë,
Mos ma kujto,
I turpshëm u drodha si qëngj nën lekurë,
Mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura,
Mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura,
Mos ma kujto!

Dritëro Agolli