Moska me akuza në adresë të NATO-s

Aleanca po dërgon spiunë në kufijtë me Rusinë

Shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë së Rusisë, Valeri Gerasimov, thirri sot një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, në të cilën deklaroi se NATO ka shtuar aktivitetet në kufijtë me Rusinë.

Sipas tij, aleanca ka dërguar ditëve të fundit një ekip vëzhgues, me qëllim që të zhvilloi aktivitete të spiunazhit përgjatë kufijve me Rusinë.

Ai më tutje tha se manovrat ushtarake të aleancës në Evropën Lindore janë dyfishuar gjatë dy viteve të fundit.

Gerasimov më tutje theksoi se zbatimi i planit të aleancës për ekspansion po minon baraspeshën e forcave dhe po shton rrezikun e incidenteve ushtarake dhe tha se çdo aksion i NATO-s është destruktiv dhe provokues,transmeton rtv21.tv

Në anën tjetër, zëvendësi i parë i Presidentit të Komitetit të Federatës ruse për mbrojtje dhe siguri, Frants Klintsevich, duke komentuar fjalët e ministrit britanik të Mbrojtjes, Michael Fallon, i cili tha se Londra ka të drejtë të ndërmerr sulme parandaluese me armë bërthamore, tha se deklaratat e tilla kërkojnë reagim të ashpër.

Klintsevich shkroi në profilin e tij në internet se deklaratat e këtilla duhet të konsiderohen si element të luftës psikologjike dhe kërcënoi Britaninë se nëse ndërmerr vetëm sulm bërthamor kundër ndonjë fuqie bërthamore, atëherë ky vend do të zhduket nga faqja e dheut, në rast të ndonjë sulmi reciprok bërthamor.

Përndryshe, Klintsevich konsiderohet si personalitet kundërthënës në politikën ruse. Ai konsiderohet si një zyrtar, i cili nga shumë politikanë konsiderohet si një armë e ftohtë e Kremlinit, ngase deklaratat e tij nxitëse shpesh tejkalojnë kornizat politike dhe diplomatike dhe përkundër faktit se është zyrtar i lartë, për të nuk janë të huaja as teoritë e konspiracionit. Kështu, ai për vrasjen e ambasadorit rus në Turqi, Andrej Karllovit, në dhjetor të vitit të kaluar, fajësoi shërbimet e fshehta të NATO-s./21Media

Back to top button