Moska kritikon NATO-n!

”Politika përjashtuese e NATO-s rrit rreziqet për konflikte”

Pas një samiti të Aleancës Atlantike në Bruksel, diplomacia ruse sot theksoi se politika përjashtuese e NATO-s kundër Rusisë, i rritë rreziqet për konflikte potenciale në zonën euro-atlantike.

“Është e dukshme që marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s kanë rënë në nivelin më të ulët që prej fundit të Luftës së Ftohtë”, shprehu me keqardhje Ministria ruse e Punëve të Jashtme në një komunikatë.

“Vendet perëndimore kanë zgjedhur një politikë sigurie të mbyllur dhe të përqendruar në NATO”, theksoi Moska.

“Kjo politikë është pasojë e strategjisë afatgjatë të NATO-s për të përmbajtur politikisht dhe ushtarakisht Rusinë”, kritikon Moska duke iu referuar doktrinës Truman të përjashtimit vendosur nga SHBA që prej vitit 1947 për të ndaluar shtrirjen e ish-Bashkimit Sovjetik.

“Pasoja e drejtpërdrejtë është rritja e konflikteve potenciale në zonën euro-atlantike”, shtoi ministria duke dënuar masat e marra për riforcimin e kapaciteteve të NATO-s në pjesën lindëore, në afërsi të rajoneve ruse.

Më 5 qershor, Mali i Zi do të bëhet shteti i 29-të anëtar i NATO-s.

Rusia theksoi në muajin prill se anëtarësimi i këtij vendi të vogël ballkanik në Aleancën Atlantike reflekton logjikën e përballjes në kontinentin evropian, vendosjen e linjave të reja të demarkacionit.

Back to top button