“Mosmarrëveshjet mes partnerëve zgjidhen sy më sy, e jo me ofendime nëpër studio”

Reagimi i Abdixhikut ndaj Konjufcës

Deputeti i ardhshëm i LDK-së, Lumir Abdixhiku sonte i ka reaguar nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufcës, duke pohuar se marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet mes partnerëve zgjidhen mes vete, sy më sy, e jo me ofendime.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka theksuar se me LDK-në kanë arritur marrëveshje për formatin e Qeverisë, por negociatat kanë ngecur te pozita e Presidentit, të cilën LDK e ka vendosur si kushtëzim.

Ndërsa, Abdixhiku ka shkruar fjalët e pamatura e zhvendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa pas.

“Marrëveshjet e mosmarrveshjet mes partnerëve – po qenë e po u panë si të tillë njëmend – zgjidhen mes vete, sy më sy, e jo me ofendime nëpër studio televizive. Deklarata të pamatura dhe pa kohë e vendosin mundësinë e bashkëpunimit disa hapa prapa. Ndoshta dhe ky është qëllimi.

Propagandë për propagandë jemi ngopur mjaftë. Por nëse e kanë njëmend, me respekt ndaj njëri tjetrit e me respekt ndaj vullnetit qytetar, këtu jemi. Plot 28 deputetë të 206 mijë votuesve kosovarë.”, ka shkruar Abdixhiku në facebook.

Kujtojmë që, takimi ndërmjet kryetarit të VV-së, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafës është mbajtur dje, por pa marrëveshje. Udhëheqësit e të dyja partive e kanë pranuar se kanë dallime, për të cilat kanë thënë se në takimet e radhës do të tejkalohen./21Media

Back to top button