Mbledhja e radhës e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji

Mbledhja e radhës e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji

Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar kompensimi i orëve të humbura nga greva e mësimdhënëseve. Me këtë rast, nga ana e këtij komisioni është kërkuar se pavarësisht shpjegimeve, orët duhet të kompensohen dhe se duhet t’i jepet kohë sindikatës një javë që të ulet dhe të merr vendim për vazhdimin e mësimit dhe të shtunën e ardhshme të fillojë mësimi.

Këtë kërkesë e ka mbështetur ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, duke theksuar se në rast të mos respektimit të vendimit për kompensim, do të merren të gjitha masat ligjore.

Kurse, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, fillimisht u shpreh i vendosur se kompensimi i orëve nuk do të ndodhë. Mirëpo, pastaj ka kërkuar që ministri të tërheq vendimin e tij dhe pas diskutimeve në Këshill Drejtues të dakordohen të gjithë mësimdhënësit që në mënyrë humane dhe morale të merret vendimi a do të zëvendësohen orët.

Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi duke përmendur grevën në arsim që ka ndodhë, ka thënë se humbja e orëve, pavarësisht kompensimeve që mund të ndodhin, do të jetë jo e mirë për cilësinë e mësimit dhe vet nxënësit.

Përkundër kësaj, ai u shpreh i vendosur se si komision ata kanë konsideruar se ky kompensim duhet të ndodhë pavarësisht shpjegimeve që mund të gjenden. Mes tjerash, ai ka kërkuar përgjegjësi për këto humbje, siç i ka cilësuar të mëdha.

“Ne si komision e kemi konsideruar se zëvendësimi i orëve të mësimit duhet të ndodhë pavarësisht shpjegimeve që dikush mund t’i gjejë, nëse mësimi nuk zëvendësohet po humbin nxënësit”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka thënë se kanë bërë gjithçka që greva mos të zgjasë, mirëpo nuk ka qenë në dorën e tyre që të rrisin koeficientet.

Sipas tij, mbas diskutimeve me të gjitha palët, kanë arritur të gjejnë modalitete që të kompensohen orët e humbura në formën që e kanë paraqitur në publik.

“Forma e shpërndarë, pesë ditë në vikende, pesë ditë në pushim pranveror dhe pesë ditë mbas përfundimit të mësimit ka qenë zgjidhja më e mirë, ne besojmë që është vendim i mirë”, ka thënë ministri.

Ministri Bytyqi ka thënë se ky vendim duhet të zbatohet dhe se në bazë të diskutimeve me gjithë drejtorët e DKA-së në të gjitha komunat kanë hasur në mirëkuptim se orët do të kompensohen. Kurse, për gjithë ata që nuk e respektojnë këtë vendim ka thënë se do të merren masat përkatëse.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka pasur kritika ndaj anëtarëve të komisionit, sipas tij me anë të asaj që po kërkohet po mundohen të zbehin rolin e grevave. Siç ka thënë Jashari, ligji i grevave tregon çka është greva, ai nuk parasheh që të kompensohen orët që kanë ndodhur gjatë grevave.

“Ju po doni që të ardhmen të zbehet roli i grevave, pse do të bëhet greva në të ardhmen, kur dihet që do të zëvendësohet orët, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

Deputeti nga radhët e PSD-së, Driton Çaushi u shpreh me akuza të ashpra ndaj kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharit, duke i cilësuar të padrejta dhe arrogante deklaratat e tij se sindikata që e drejton ai, as nuk e ka ndërmend të kompensojë orët e humbura. Ai ka pasur një kërkesë ndaj tij, që të merret një vendim që si obligim moral të kompensohen orët.

Për deputeten e AAK-së, Teuta Haxhiu, të gjithë përfaqësuesit e Këshillit të Mësimdhënësve të Kosovës e kanë mbështetur vendimin që të kompensohen orët e humbura gjatë grevës.

“Thirrja e këtij takimi ka qenë që të gjendet një zgjidhje dhe të mbahet mësimi”, ka thënë ajo.

Zgjidhje për zëvendësim të orëve ka kërkuar edhe deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj.

Mirëpo, përkundër deklaratave në fillim, kryetari i SBASHK, Rrahaman Jashari, ka kërkuar që fillimisht ministri të tërheq vendimin e tij dhe pastaj të thirret Këshilli Drejtues dhe në mënyrë morale dhe humane mësimdhënësit të vendosen që të kompensohen orët.

Kurse, ministri Bytyqi ka thënë se vendimi është ligjor dhe në mënyrë vullnetare, ai ka kërkuar që SBASHK-u të deklarohet, e përkrah apo jo kompensimin e orëve.

Më 4 mars, SBASHK-u ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore lidhur me vendimin e MASHT-it për kompensimin e orëve të humbura për shkak të grevës disajavore të mësimdhënësve, me kërkesën për rritje të koeficientit. Këtë kërkesë të premten, më 8 mars, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar si të pabazuar.