Tottenham në vendin e pestë në tabelë

Tottenham në vendin e pestë në tabelë

Tottenham mposhti sot në udhëtim Aston Villa në xhiron e 26-të të Premier Ligës me rezultat 3:2. Skuadra e Jose Murinhos vazhdon luftën për vendin e katërt, i cili siguron Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm. Tani ajo është e pesta në tabelë me 40 pikë, një më pak se Chelsea në vendin e katërt, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Dueli në ‘Vila Park’ nuk filloi mirë për Spurs, veçanërisht për Toby Alderweireld, i cili shënoi autogol në minutën e nëntë, pas një ndërhyrje të ngathët. Sidoqoftë, mbrojtësi belg shpagoi veten duke barazuar shifrat në minutën e 27-të.

Song Heun-min solli për herë të parë në ndeshje mysafirët në epërsi me golin e shënuar në minutën e dytë të kohës shtesë në pjesën e parë.

Vendësi barazuan përmes Bjorn Engel në minutën 53. Kur pritej që ndeshja të përfundojë pa fitues, për tri pikët e mëdha për Tottenham u përkujdes futbollisti jugkorean, Song Heun-min me golin e tij të dytë në minutën e katërt të kohës shtesë.

Aston Villa renditet e 17-ta në tabelën me 25 pikë dhe deri në fund të sezonit e pret një luftë e ashpër për mbijetesë në ligë.