Reagimi i MPJ-së pas deklaratave të Daçiq

Reagimi i MPJ-së pas deklaratave të Daçiq

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar ndaj vazhdimit të propagandës së Serbisë ndaj Kosovës.

Kjo ministri ka numëruar vitet në të cilat Kosova është përballur siç thonë ata me një fushatë të paprecedent diplomatike dhe propagandistike nga Serbia me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera për të penguar integrimin e vendit në bashkësinë ndërkombëtare.

Kosova në koordinim me vendet e Quint-it e ka kundërshtuar këtë fushatë dhe në koordinim të ngushtë me shtetet Quint ka ndërmarrë hapa ndërkombëtarisht. Serbia ka përdorur çdo mjet për të penguar Kosovën ndërkombëtarisht. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë se kanë përdorur ryshfete, afera korruptive, shitje të armëve dhe marrëveshje për heqjen e vizave dhe afera jo-moralshme (si rasti i INTERPOL-it) për të kundërshtuar Kosovën. Serbia ka ftuar zyrtarë të huaj në Beograd në vizita pa marrë parasysh legjitimitetin e tyre dhe përmes ryshfeteve janë lëshuar “nota diplomatike” dhe dokumente të rreme që janë hedhur poshtë nga vendet përkatëse mandej, si rasti i Liberisë (para TV liberian Presidenti i Liberisë e demanton dhe lëshon komunikate), Ganës, Guinea-Bissaut (akreditimi i Ambasadorit të Kosovës), Burkina Fasos (dërgon dokument që demanton Beogradin), Republikës së Afrikës Qendrore (po zhvillohen hetime për aferë korruptive), Sao Tome and Principe (takimet e nivelit të lartë ku mohohet deklarata e Daçiqit dhe vendet e tjera si Papua New Guinea, Palau, Somalia, Komorët, Burundi”, thuhet në reagim.

Organizatat ndërkombëtare si Amnesty International kanë shprehur shqetësimin e tyre për shitjen e armëve të Serbisë në Afrikë. Në shumë vende kjo është përdorur si një mjet për të forcuar propagandën e saj në shtëpi për Ivica Daçiqin, thuhet tutje në reagimin e MPJ-së.

Ata bëjnë të ditur se të gjitha notat diplomatike të treguara në Beograd të cilat janë hedhur poshtë nga qeveritë përmes kanaleve diplomatike ose publikisht janë shkruar nga një person i vetëm i cili është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës dhe i cili shërben tani si këshilltar për ministrin e Jashtëm serb.

Sipas MPJ-së, Kosova ka bashkëpunim me partnerët e saj dhe ka treguar gatishmërinë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-së, duke synuar të mos ndërmerren veprime që do të barazonin Kosovën me Serbinë.

Kosova ka qëndruar e përkushtuar në parimin e politikës së jashtme për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, por për të arritur këtë duhet veprime konkrete edhe nga Beogradi, qe nuk ka qenë rasti. Kosova është e gatshme të veprojë si një fqinj konstruktiv, por Serbia po instalon një klimë që nuk krijon hapësirë për normalizimin e marrëdhënieve”, përfundon reagimi i MPJ-së.

Ky reagim vjen pas deklaratave të Daçiq se shteti afrikan i Togos ka marrë vendimin për të tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës./21Media