MTI dhe STIKK synojnë rritjen e eksportit të shërbimeve vendore

Hasani tha se kanë shtyrë këtë proces të nisur më parë, pasiqë një gjë e tillë do të fuqizojë këtë sektor

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka nënshkruar marrëveshje me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK), në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Kjo marrëveshje i mundëson STIKK-ut shfrytëzimin e objektit të Institutit të Biznesit në një afat 5 vjeçar me mundësi vazhdimi, ndërsa  është nënshkruar nga ministri i MTI-së, Bajram Hasani dhe drejtoresha e STIKK-ut, Vjollca Çavolli.

Të dy palët u shprehën se presin që të rritet edhe më shumë eksporti i shërbimeve që kompanitë kosovare ofrojnë.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili tha se kjo marrëveshje është vazhdimësi e punës së nisur më herët nga Qeveria e Kosovës, finalizimi i së cilës tregon se prioritetet e Qeverisë janë në shërbim të vendit. Ai tha po ashtu se pret që STIKK të punojë në kuadër të kornizës ligjore në Kosovë dhe se pret që nga kjo shoqatë  të dalin sipërmarrës të rinj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se kanë shtyrë këtë proces të nisur më parë, pasiqë një gjë e tillë do të fuqizojë këtë sektor që ka ecur më së shumti edhe sa i përket eksportit të vendit.

Ndërsa, dejtoresha e STIKK, Vjollca Çavolli tha se ka qenë një rrugëtim mjaft i gjatë deri sa kanë ardhur në këtë pikë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ai shtoi se finalizimi i saj e ka bërë që të pendohet për deklaratën e lëshuar një muaj më parë ku kishte thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka memorie institucionale. Ajo theksoi se kompanitë eksportojnë mjaft porse synojnë që të rrisin edhe më shumë eksportin e shërbimeve nga Kosova.

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka shpjegoi se ka marrë përsipër financimin dhe rregullimin e objektit ku do të veprojë STIKK, përderisa theksoi se si MZHE ka ndarë 300 mijë euro për rregullimin e interierit.

Në këtë cereomoni i pranishëm ishte edhe  ministri i Arsimit,  Shyqiri Bytyqi dhe drejtori i përgjithshëm i KIESA, Besian Mustafa.

Back to top button