Hetimet për ndërhyrjet ruse

Hetimet për ndërhyrjet ruse

Këshilltari i Posaçëm, Robert Mueller do të dëshmojë para Kongresit amerikan më 24 korrik. Ky njoftim vjen, pas negociatave që Mueller dhe ligjvënësit amerikanë zhvilluan lidhur me kohën dhe kohëzgjatjen e dëshmisë e Muellerit në Kongres.

Kryetarët e dy Komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve, përmes një deklarate thanë se Muelleri do të paraqitet para Kongresit “për një periudhë të gjatë kohore”.

Mueller do të dëshmojë para Komitetit të Drejtësisë dhe atij të Inteligjencës, përcjell rtv21.tv

Këshilltari Mueller paraprakisht ishte planifikuar që të dëshmonte më 17 korrik, lidhur me gjetjet e hetimit të tij mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Megjithatë, ligjvënësit nga dy partitë u ankuan se kohëzgjatja e shkurtër e seancave – fillimisht e caktuar për dy orë – nuk do të mundësonte që ligjvënësit t’i parashtronin pyetje këshilltarit Mueller.

Këshilltari i Posaçëm ka folur shumë pak publikisht, që prej vitit 2017, kur u emërua në krye të ekipit që hetoi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe dyshimet se a ka bashkëpunuar ekipi i Donald Trumpit me zyrtarët rusë.

Një version i redaktuar i raportit të Muellerit, konfirmoi ndërhyrjen ruse në zgjedhje dhe dokumentoi përpjekjet e Trumpit për ta minuar hetimin e Muellerit. Por, Mueller tha se nuk ka dëshmi të mjaftueshme, që do të thoshin që Trump dhe ekipi i tij kanë kryer ndonjë krim.

Trump ka mohuar se ka bashkëpunuar me Rusinë ose se ka dashur që të minojë hetimin e Muellerit. Rusia po ashtu ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane./21Media