Muhaxheri prezanton kandidatët për deputetë nga Peja

Muhaxheri prezanton kandidatët për deputetë nga Peja

Kryetari i Pejës dhe anëtari i kryesisë qendrore të LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka folur për aktualitetin politik me theks të veçantë zhvillimet e mundshme në raportin LDK-VV.

Muhaxheri ka thënë se LDK e ka nominuar Vjosa Osmanin për kryeministre dhe kandidatura është e panegociueshme. Muhaxheri ka lënë hapur të gjitha mundësitë e tjera për ujdi me VV-në.

“Është e qartë që LDK e ka nominuar Vjosa Osmanin dhe kandidatja jonë nuk mundet të negociohet në çështjen e kryeministrit të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Të gjitha opsionet e tjera janë të hapura dhe ka mundësi t’i diskutojmë deri më 30 gusht kur përfundon afati për koalicione”, ka deklaruar Muhaxheri për “Radio 1”

I pyetur nëse ai personalisht do jetë pjesë e listës për zgjedhjet nacionale, Muhaxheri ka dhënë këtë përgjigje.

“Besoj që nuk do jem në listë. Nëse kryesia e LDK-së vendos që të jem, normal që duhet të dal. Nga dega jo. Ne nga dega i kemi tre kandidatë të suksesshëm që kanë qenë edhe deputetë, janë, Kujtim Shala, Besa Gaxheri dhe Ramiz Kelmendi”, ka thënë Muhaxheri.

Kryetari i Pejës ka folur edhe për mundësitë e ndonjë bashkëpunimi paszgjedhor edhe me subjektet e tjera siç janë koalicioni AAK-PSD apo Nisma-AKR.

“Duhet pritur të reflektoj secila palë. Është vendimi i Kushtetueses që e favorizon fituesin e garës ta formojë qeverinë dhe kjo frymë po imponon koalicione dhe po krijon frymë jo të mirë. Besoj për këtë se raporti i forcave të pas 6 tetorit do imponojë ndoshta edhe koalicione të tilla të tjera. Për ne ka qenë i pëlqyer me Vetëvendosjen dhe kjo për rifunksionalizimin e shtetit”, ka shtuar Muhaxheri.

Duke ju përgjigjur pyetjes se a ka ujdi mes Vjosa Osmanit dhe Lutfi Hazirit sa i përket qëndrimit për ndryshim territoresh Kosovë-Serbi, Muhaxheri ka thënë se është qëndrim i LDK-së, i votuar tashmë se nuk ka ndryshim territoresh.

“Nuk negociohet territori i Republikës së Kosovës. Mund të fliten tema të tjera, por shkëmbimi jo. Është qëndrim i LDK-së dhe kjo dihet”, ka përfudnuar Muhaxheri.