“Kam filluar të dalloj gjërat, t’i shoh, avionët, yjet, ngjyrat, juve ju shoh"

“Kam filluar të dalloj gjërat, t’i shoh, avionët, yjet, ngjyrat, juve ju shoh”

Shtatë muaj pas operacionit të syrit të djathtë, Ivana Atanasovska thotë se tani më mund të shikojë. Operacioni u krye në qytetin rus Ufa, në Qendrën për kirurgji të syve dhe plastike nga doktori 72 vjeçar, Ens Molldashev. Ivana kishte shikim të dëmtuar për 95%. Mjetet e nevojshme u siguruan pas publikimit të storjes në TV21.

“Kam filluar të dalloj gjërat, t’i shoh, avionët, yjet, ngjyrat, juve ju shoh. Në intervistën e parë ju kam parë vetëm si figurë, ndërsa tani ju shoh si fytyrë. Ndjehem më e lirë dhe më e sigurt. Tani kam filluar të dal, të shoqërohem, më herët isha e mbyllur në vetvete”, tha Ivana Atanasovska.

Ivana duhet ta operojë edhe syrin e majtë këtë muaj në spitalin e njëjtë. Për këtë gjë i nevojiten mjete shtesë.

“Operacioni do të jetë më 11 shtator, me datën 8 nisemi për Rusi. Nevojiten gjashtë mijë euro kësaj here. Kam pritshmëri të mëdha, për shkak se me syrin e majtë që në fillim shoh më shumë dhe mendoj se tërësisht do të më kthehet shikimi”, u shpreh Ivana Atanasovska, raporton TV21.

Tetëmbëdhjetëvjeçarja, Ivana Atanasovska nga Shkupi, deri në moshën 12 vjeçare nuk ka pasur asnjë problem me shqisën e të shikuarit. Në gjashtë vitet e fundit, shikimin e ka të dëmtuar për 99%, ndërsa kjo gjë ka ndodhur vetëm brenda 15 ditëvePrindërit pasi që e kanë dërguar në Klinikën për fëmijë, kanë kërkuar që t’i bëhet rezonancë magnetike. Por u është thënë se nuk ka nevojë, se vajza është e shëndetshme dhe se atë e ka nga dielli ose era. Ka filluar t’i paraqitet gjakderdhje nga goja, kokëdhimbje, lodhje, harresë. Pas rezonancës magnetike i është diagnostikuar hidrocefellus (ujë në kokë). Ivana ka pasur pesë operacione në kokë në vitin 2012, që i ka kryer ministri i tanishëm Venko Filipçe. Operacionet në kokë kanë qenë të suksesshme, por ajo edhe më tej nuk ka mundur të shikojë. Ufa është spitali i parë ku i është thënë prindërve të Ivanës se ka shpresa për t’iu kthyer shikimi./21Media