Mungesa e ambasadorëve në pritjen për Ditën e Çlirimit, Presidenca: S’pati bojkot të askujt

(Lajm i përditësuar)


Mungesa e ambasadorëve në pritjen për Ditën e Çlirimit, Presidenca: S’pati bojkot të askujt

Në pritjen shtetërore për nder të 24-vjetorit të çlirimit ku munguan ambasadorët e vendit të QUINT-it, për Presidencën e Kosovës nuk pati bojkot prej askujt.

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë për kp se të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni.

Ai ka theksuar se pritja për nder të Ditës së Çlirimit ka qenë organizim i përbashkët i Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.

“Në këtë ceremoni nuk ka pasur bojkot të askujt. Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të disa shteteve evropiane dhe aziatike, komandanti i KFOR-it, teksa përfaqësi të tjera diplomatike janë përfaqësuar nga zv.ambasadorë. Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershor”, ka thënë ai.

Ndryshe, në pritjen shtetërore me rastin e 24-vjetorit të çlirimit, krerët shtetërorë kanë shprehur mirënjohje për ndihmën që ndërkombëtarët i dhanë Kosovës për të fituar lirinë. Ndërsa presidentja Vjosa Osmani apeloi për unitet në mënyrë që të ruhet sovraniteti në çdo pëllëmbë të vendit.


Krerët e shtetit falënderojnë NATO-n për ndërhyrjen ushtarake më 1999

Me rastin e Ditës së Çlirimit, krerët shtetërorë kanë organizuar një pritje ku kanë falënderuar aleatët ndërkombëtarë për intervenimin në vitin 1999.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Dita e Çlirimit është një datë e rëndësishme në historinë e re të Kosovës.

“Kjo ditë përmbyll një kapitull të errët të së kaluarës tonë dhe është dëshmi e vullnetit të paepur të atyre që luftuan për çlirim dhe të qëndrueshmërisë së atyre që duruan tmerret e robërisë”, është shprehur Osmani.

Kryeministri Albin Kurti, duke falënderuar NATO-n për ndalimin e gjenocidit dhe masakrave të forcave serbe në Kosovë, ka thënë se historia po tenton të përsëritet çdo pesë dekada.

”E duam fort lirinë, e duam edhe për të tjerët, jo vetëm për vete sepse siç na e thotë presidenti amerikan Abraham Lincoln, ata që ua mohojnë lirinë të tjerëve, nuk e meritojnë për vete. Përpiqemi ta mësojmë historinë edhe me qëllimin që mos të na përsëritet më. Por me sa duket historia na merr ne në provim çdo 3-4 apo 5 dekada për ta testuar edhe ajo veten nëse mund të përsëritet”, deklaroi Kurti.

E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka shtuar se rojekti i Serbisë për spastrim etnik dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës, nuk do të mund të ndalej pa ndihmën e miqve dhe aleatëve.

“Populli ynë e ka paguar shumë shtrenjtë çmimin e lirisë dhe të pavarësisë. Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, ne përherë e kemi për obligim t’i falënderojmë miqtë tanë për kontributin dhe ndihmën e tyre për çlirim të Kosovës”, ka thënë Konjufca ndër tjera./21Media

Back to top button