Sfeçla: Më vjen marre që ulem në një vend me disa deputetë

Sfeçla: Më vjen marre që ulem në një vend me disa deputetë

Mungesa e deputetëve në seanca, mbikëqyrja e dobët parlamentare dhe mungesa e pyetjeve parlamentare, janë vetëm disa nga problemet që e përcjellin punën e Kuvendit.

Kështu u tha në diskutimin publik mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të medieve rreth monitorimit të punës së Kuvendit, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Sipas KDI-së vetëm 45 deputetë kanë parashtruar pyetje parlamentare në këtë legjislaturë dhe 62.5 përqind e deputetëve nuk kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare.

Albert Krasniqi nga KDI, tha se kërkesat për rritje të transparencës, performancë më të mirë për Kuvendin po shtohen çdo ditë ndërsa shtoi se mungesa e deputetëve në seanca dhe në komisione po vazhdojnë të jenë problem.

“Sfidat me të cilat është ballafaquar Kuvendi viteve të fundit, kanë qenë të shumta dhe jo rrallë herë kanë rrezikuar dhe funksionimin e këtij institucioni. Polarizim ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë janë shtuar po ashtu Kuvendi është shfrytëzuar shpesh herë , si një forum për qërim hesapesh personale dhe jo si një forum për dialog konstruktiv dhe përfaqësim politik”, tha Krasniqi.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili tha se që nga janari deri në mars i kanë kaluar 24 ose 25 ditë në Kuvend, por produktivitet ka pasur shumë pak.

Ai kritikoi edhe disa deputetë të cilët sipas tij paraqiten në seanca vetëm sa për mëditje.

“Deputetët bëjnë punë të jashtëzakonshme, shpesh herë paragjykohen në mënyre të paarsyeshme . Por ka raste kur individë të caktuar deputet veç vijnë për tu nënshkruar, nuk e kanë koncentrimin shumë të madh në seanca”, tha kryetari i Kuvendit.

Veseli në këtë tryezë ka folur dhe për liberalizimin e vizave duke thënë se është i sigurt që kjo do të ndodh brenda këtij viti.“ Tani qytetarët, veçanërisht rinia po i shoh që në këtë tryezë janë shumicë, duan perspektiven e tyre. Duan të jetojnë më mirë në vendin e tyre dhe në të njëjtën kohë të mos lejojnë të dalin, se tash jam bukur i sigurt që në fund të këtij viti do të kemi liberalizimin e vizave”, tha ai.

Për deputeti Labinot Tahirin debatet në Kuvend po vazhdojnë të bëhen të kota. Ai ka përmendur debatin në mes të Xhavit Halitit dhe Anton Qunit, e që siq tha ai i përket së kaluarës.

“Unë dua të lidhem me debate shumë të kota që janë psh për vitet 99 si debati i fundit që ishte mes Anton Qunit dhe Xhavit Haliti. Ne ishim aty të thirrur për rendin e ditës që kishte çështje tjera sa i përket gjendjes aktuale. Por debati u bënte për vitin 99 të. Mendoj që, unë personalisht si deputet nuk jam aty me votën e qytetarit, që të dëgjoj atë debat. Por jam aty për me i kry obligimet që janë votimet për të cilat unë votoj siç ma merr mendja”, tha Tahiri.

Deputeti nga PSD-ja Dukagjin Gorani tha se roli i deputetit dhe Kuvendit është keqkuptuar. Sipas tij deputetët përfaqësojnë interesat e subjektit politik dhe programit të atij subjekti, të cilin e kanë votuar qytetarët.

“Kuvendi është reflektim i zgjedhjes suaj. Njerëzit të cilët janë në Kuvend aty nuk kanë pikë prej qiellit dhe nuk janë ardh me zor. Dikush i ka zgjedh ata. Mirëpo kjo taktikë e zgjedhjes së njerëzve dhe pastaj shtirjes se kinse ata janë aty padrejtësisht, e shumë herë krijohet përshtypja se aty janë dhe pa ligjërisht. Ky lloj i strategjisë së komunikimit publik për mua është neveritës. Kuvendi është reflektim i joni si shoqëri. Ne jemi përfaqësues të çkafit, të agjendave të caktuara politike partiake. Ju duhet me dit a jeni ju edhe pjesë e agjendave politike partiake, sikur na. Ne jemi përfaqësues politik,. Mirëpo a jeni ju qytetar politik. Çka po pritni ju prej neve, me u sill si akademik. Ne jemi përfaqësues të agjendave partiake. Kurrë në Kuvend, prej se jam unë aty nuk është diskutu cili është njeri më i mençëm, por cili është i joni”, tha ai.

Në lidhje me këtë çka tha Gorani ka reaguar Yllka Buzhala nga Lëvizja Fol. Ajo tha se nga ajo që dëgjoi nga Gorani, del se deri politikanët i paskan gënjyer qytetarët, se i përfaqësojnë interesat e tyre.

“Në vija të trasha unë pajtohna me Dukagjin Goranin, që politika është arenë e interesave të grupeve të caktuara politike dhe pse ata thirren në emër që përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Pajtohna parimisht në vija të trasha. Atëherë përgjithësi për qytetar ta ndërrojmë diskursin, atëherë qytetarëve u shesim pallavra. Rinia nuk e mësojnë Kuvendin si të tillë qysh u shprehet ju. Pushtetet shoqërinë tonë. Atëherë jena tu shit pallavra jena tu i rrejt qytetarët”, tha ajo.

Pas fjalimit të deputetit Gorani reagoi dhe Shkëlqim Ahmeti, student i Shkencave Politike. Ai tha se ajo që po flitet këtu, është kundër interesave të qytetarëve.

“Ne në mësimet tona kuptojmë që Kuvendi është një tempull i demokracisë, ku në të diskutohet për interesat e të përfaqësuarve. Kurse këtu po flitet e kundërta për interesa partiake. Mendoj që është në kundërshtim me interesat e gjithë qytetarëve që përfaqësohen në Kuvend”, tha Ahmeti.

Për këtë qka tha studenti i Filozofik, Gorani e dha një përgjigje. “ Tempulli i demokracisë e këto, unë mendoj që janë ‘qyfte’. Gjëra të kota. Meqenëse nëse je dal në votime ti nuk e di çka paske votu. A ke votu subjekt politik a jo. Nëse ke votu subjekt politik, e unë mendoj që dosido ke votu subjekt politik. A e din ti çka është subjekti politik. A e dimë çka është partia politike. Është një grup i njerëzve që ka një bindje të caktuar politike që kur e shkruan shndërrohet në program… Partia politike është bandë legale. Mirëpo funksion si band. Qoftë muzikore, qoftë kriminale. Por në këtë rast është e ligjshme”, tha ai.

E deputeti i VV-së Xhelal Sfeçla tha se i vjen marre që ulet në një sallë me disa deputetë, për të cilët të gjithë e dinë që janë kriminel.

“ Fatkeqësisht ky është mandati im i parë. Mua më vjen marre, që jam në sallë me disa deputetë. Jo se unë jam më i miri po ka aty disa për të cilët krejt shoqëria e dijnë që janë kriminelë”, tha deputeti Sfeçla.