Mungesa e rrymës po dëmton bizneset e Malishevës

“Mungesa e madhe e energjisë elektrike po u shkakton humbje të madhe bizneseve”

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës janë takuar sot me kryetarin e komunës së Malishevës, Ragip Begajn, me të cilin kanë diskutuar për problemet me të cilat përballen bizneset në këtë komunë.

Në këtë takim u tha se mungesa e madhe e energjisë elektrike po u shkakton humbje të madhe bizneseve, ndërsa mungesa e të mbjellurave ka ardhur si pasojë e mungesës së subvencioneve nga Qeveria.

Kryetari Begaj ndër shumë probleme me të cilat përballen bizneset e kësaj komune theksoi si problem qenësor mungesën e madhe të energjisë elektrike, e cila po u shkakton humbje të mëdha bizneseve.

Hysni Zogaj nga OAK u interesua edhe për çështje të tjera të kësaj komune, ndër to për numrin e vogël të femrave të punësuara në këtë komunë.

Lidhur me këtë, kryetari Begaj njoftoi që tani ka përmirësime dhe se janë punësuar 7 (shtatë) drejtore të reja femra në shkollat e Malishevës.

Ai po ashtu përmendi punësimin e tre personave me aftësi të kufizuara në Komunën e Malishevës, dy meshkuj dhe një femër.

Ndërsa, kryetarja e Shoqatës së Bizneseve të komunës së Malishevës, Adelina Berisha shprehu shqetësimin për vjedhjen që po i bëhet kohët e fundit bizneseve në ato anë.

Back to top button