Kjo legjislaturë nuk ka arritur të përmbushë agjendën e planifikuar

Kjo legjislaturë nuk ka arritur të përmbushë agjendën e planifikuar

Legjislatura e gjatë e Kuvendit të Kosovës këtë vit ka miratuar 28 ligje, ndërsa nëse arrinë të miratojë marrëveshjen për fondet IPA, më 22 gusht kur edhe pritet të shpërndahet Kuvendi, i bie të ketë përmbushur afër 20 përqind të agjendës legjislative të paraparë për vitin 2019.

E derisa legjislatura në fjalë pritet të shpërndahet të enjten, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), vlerëson se mungesa e seriozitetit nga ana e deputetëve ishte një sindrom që ka prekur të gjitha grupet parlamentare të Kosovës.

Artan Murati nga KDI, thotë se kjo legjislaturë nuk ka arritur të përmbushë agjendën e planifikuar.

Ai thotë se është një numër relativisht i vogël i projektligjeve që janë miratuar dhe janë shndërruar në ligje gjatë këtyre 8 muajve.

“Nëse flasim vetëm për vitin 2019, deri më tani, kjo legjislaturë ka miratuar 28 ligje, nëse miratohet edhe projektligji për miratimin e marrëveshjes për Fondet IPA, do të arrijë numrin 29, që në tërësi është diku 20 përqind e agjendës legjislative të paraparë për vitin 2019. 44 ligje veç janë procedu aktualisht, të cilat kanë qenë duke u trajtuar nga komisionet parlamentare, kurse, 71 projektligje të tjera janë në pritje, projektligje të cilat kanë qenë të parapara në planin legjislativ të Qeverisë të Kosovës për t’u dërguar në Kuvend, por të cilat ende nuk janë dërguar… (Krejt në fund) Në përgjithësi është një sindrom që ka prekur të gjitha grupet parlamentare, që nuk ka pasur një seriozitet të theksuar nga shumica e deputetëve për punën e tyre”, thotë ai.

E në rast të shpërndarjes së legjislaturës, gjë që pritet të ndodhë, Murati thekson se ligjet e mbetura në procedurë kthehen në pikën zero, pasi është ekzekutivi sponzorizuesi më i madh i tyre dhe prioritetet e qeverisjes së re mund të jenë tjera.

“Nëse do të shpërndahet legjislatura e 6-të, këto ligje do të kthehen në pikën zero, për shkak se do të vijë një legjislaturë e re dhe pastaj i takon legjislaturës të re dhe qeverisë së re të konsiderojnë se a janë të nevojshme ato projektligje apo jo. Këto projektligje të cilat veç janë në procedurë, ka një numër goxha të madh të ligjeve që janë të rëndësishme, për të cilat është bërë një punë goxha e madhe. Po e përmendi p.sh. projektligjin për diasporën, është një projektligj për të cilin janë realizuar edhe shpenzime të mëdha, duke organizuar edhe ture të dëgjimit të deputetëve dhe Ministrisë së Diasporës edhe jashtë Republikës të Kosovës”, shprehet ai.

Legjislatura e gjashtë, e konsistuar në shtator të vitit 2017, pati arritur që atë vit të miratojë vetëm pesë ligje.

“Në fillim përderisa deputetët e Listës Serbe kanë qenë në punimet e Kuvendit, edhe Kuvendi por edhe koalicioni, kanë pasur një shumicë, sado të brishtë, por kanë pasur një shumicë parlamentare për t’i shtyrë përpara ligjet dhe proceset që kanë dashur. Nga tërheqja e Listës Serbe nga Kuvendi, këtu kanë filluar problemet në aspektin e sigurimit të kuorumit dhe është dashur që në çfarëdo mënyre të konsiderohet opozita dhe të arrihet marrëveshje me subjekte opozitare, sidomos me GP të PSD-së, për të arritur edhe shumica e thjeshtë për të kaluar edhe ligjet më të thjeshta që kanë kërkuar vetëm pjesëmarrjen e 61 deputetëve”, thotë ai.

Murati flet edhe për problemet që e karakterizuan këtë legjislaturë. Derisa sipas tij, mungesa e kuorumit del të jetë problemi më i madh, jo pak probleme thotë të kenë shkaktuar edhe thirrjet e seancave të paplanifikuara me kohë nga kryesia e Kuvendit.

“Problemi më i madh ka qenë pikërisht mungesa e kuorumit, sepse kjo ka qenë evidente jo vetëm në seanca plenare, por edhe në mbledhje të komisioneve parlamentare, ku shpeshherë mbledhjet kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit. Koalicioni qeverisës ka pasur probleme edhe në sigurimin e shumicës parlamentare për shkak të bojkotit por edhe mënyrës sesi është krijuar koalicioni dhe se si ka funksionuar ky koalicion. Pastaj, edhe mungesat e deputetëve, shpeshherë të paarsyeshme, kanë ndikuar në moszhvillimin e duhur të punës së Kuvendit. Ajo që ka ndikuar shumë në mosefikasitetin e Kuvendit kanë qenë edhe mbledhjet e kryesisë dhe kryesia e Kuvendit, e cila kryesisht e ka organizuar punën në Kuvend”, thotë ai.

Jo më pak problematike ishin edhe seancat e jashtëzakonshme, të cilat kohët e fundit ishin bukur të shpeshta dhe që nuk janë karakterizuar për mbarëvajtje.

Sipas Muratit, problemi kryesor i seancave të jashtëzakonshme ka qenë mungesa e një dakordimi mes grupeve parlamentare se çka dëshirojnë të arrijnë me seanca të jashtëzakonshme. Edhe thirrja e seancave të jashtëzakonshme si reagim ndaj atyre që ndodhin, siç thotë ai, nuk japin rezultatet e veta. Për këtë, sipas tij, Kuvendi duhet t’iu paraprijë problemeve, e jo të mblidhet pasi që gjërat të ndodhin.

E tjetër problem, për të, del të ketë qenë edhe pamundësia e deputetëve për të marrë përgjigje nga ana e ekzekutivit.

“Ka pasur një humbje totale edhe të lidhjes dhe të arsyeshmërisë të shtrimit të pyetjeve parlamentare. Për shembull, deputetët kanë shtruar kërkesat për pyetje parlamentare në muajin shkurt, mirëpo deri në muajin maj nuk i ka ardhur radha që ato pyetje të shtrohen në seancë plenare. Kur ka ardhur koha e shtruarjes së tyre, ka munguar kabineti qeveritar në seanca, do të thotë në përgjithësi ka qenë një vit dhe një legjislaturë e shthurur sa i përket organizimit të punës në Kuvend”, potencon ai.

Krejt në fund, duke folur për perfomancën e punës së deputetëve, Murati thotë se janë deputetët e opozitës që kanë qenë më aktiv në pyetje dhe në thirrje të interpelancave, porse shton se edhe disa deputetë të opozitës kanë qenë të përgatitur. E megjithatë sipas tij, një sindrom që ka prekur të gjitha grupet parlamentare ishte mungesa e seriozitetit nga pjesa dërrmuese e deputetëve për punën e tyre.

Këtë vit, nga 143 projektligje u miratuan vetëm 28 prej tyre, 44 janë në procedurë dhe 71 prej tyre në pritje.

Ndërsa më 22 gusht, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për shpërndarjen e legjislaturës së 6-të, por fillimisht pritet që të votohen fondet e IPA-s që vendit i sjellin rreth 100 mijë euro.