Gjatë tryezës "Transparenca në shpenzimet e fushatës nga subjektet politike"

Gjatë tryezës “Transparenca në shpenzimet e fushatës nga subjektet politike”

Mungesa e transparencës në shpenzimet dhe financimet e partive dëmton demokracinë dhe se nuk mund të ketë proces zgjedhor demokratik nëse nuk ka transparencë në shpenzime dhe financim të subjekteve politike.

Kështu u tha sot në tryezën me temë “Transparenca në shpenzimet e fushatës nga subjektet politike”. Kur do të kemi raportet e publikuara?”, organizuar nga Demokracia Plus, në të cilën u tha se po vazhdon mos transparenca e partive politike për publikimin e shpenzimeve të parasë publike.

Nermin Nisic, shef i zyrës së IFES për Kosovës, tha se është i rëndësishëm që rregullatori të ketë qasje në sanksionet për partitë politike që bëjnë shkelje gjatë shpenzimeve të partisë politike. Ai shtoi se shoqëria civile ka rol të rëndësishëm për të parë shpenzimin e parasë publike dhe është e rëndësishme të sillet një raport i drejt i shpenzimit te parasë publike.

Ndërsa, Fitim Mulolli nga Fondacioni Britanik në Kosovë tha se çështja e financimit të partive dhe raportimi i atyre shpenzimeve është një problem.

Ai theksoi se nëse mungon transparenca në shpenzimet dhe financimet e partive atëherë kjo e dëmton demokracinë. Sipas tij nuk mund të ketë proces zgjedhor demokratik nëse s’ka transparencë në shpenzime dhe financim të partive.

Vjosa Sheholli nga PDK-ja, theksoi se ata si parti që nga themelimi i saj ka dorëzuar të gjitha raportet e shpenzimeve në KQZ. Ajo tha se PDK është në përgatitje të raportit me shpenzimet që kanë bërë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ilir Cacaj nga Vetëvendosje, tha se Vetëvendosje që nga bërja subjekt parlamentar është kujdesur që financat e subjektit t’i trajtojë si financa publike. Ai tha se kanë vënë bazën e transparencës në subjektin e tyre, pasi sipas tij financat e partive janë financa publike.

Cacaj tha se nuk ka vullnet politik për ta bërë auditimin e subjekteve politike. Sipas Cacajt partive duhet ndaluar donacionet dhe financimi i tyre të bëhet vetëm nga shteti pasi do të jetë edhe më e lehtë të menaxhohen.

Thirrjet e organizatave për publikim të raporteve financiare, sipas Albert Krasniqi nga KDI, nuk janë përfillë nga partitë, por kur është bërë thirrja nga ndërkombëtarët partitë brenda natës i publikuan.

Ndërsa Arton Demhasaj tha se nga analiza e tyre, kanë gjetur se paratë partitë politike i marrin nga bizneset, në mënyrë që këto të fundit më vonë të marrin tenderë publik.

Sipas tij për të pasur transparencë është mirë që me ligj t’iu ndalohet financimi nga jashtë por vetëm nga buxheti që ndan KQZ-ja dhe eventualisht nga anëtarësia.