Sipas Muriqit, grupi i Kosovës mund t’i përballojë mungesat

Sipas Muriqit, grupi i Kosovës mund t’i përballojë mungesat

Vedat Muriqi e pranon se ndeshja kundër Republikës së Çekisë do të jetë vendimtare për Kosovën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020, gjithashtu ai është i vetëdijshëm për mungesat e shumta me të cilat përballet kombëtarja verdhekaltër.

Në një konferencë për media, sulmuesi i Galatasarav, Vedat Muriqi tha se ekipi kombëtar është duke i bërë pregaditjet maksimale për të qenë plotësisht i gatshëm për ndeshjen e Grupit A kualifikues kundër Çekisë të shtunën në Prishtinë.

Mendoj se ndeshja me Çekinë do të jetë vendimtare, pasi me fitore këtu e kalojmë më shumë se gjysmën e rrugës”, theksoi  Muriqi, i cili po kalon formë mbresëlënëse te ekipi i tij i ri në Superligën turke.

Muriqi beson se Kombëtarja dardane do t’i përballojë edhe mungesat e mëdha në këto dy ndeshje kualifikuese.

Kemi mjaft mungesa, por kemi një grup që mund t’i përballojë këto mungesa. Po përgatitemi maksimalisht që të jemi plotësisht te gatshëm”, shtoi ai.

Kosova përballet me pesë mungesa shumë të mëdha, si Arbër Zenelin, Milot Rashicën, Hekuran Kryeziun, Herolind Shalën dhe Benjamin Kolollin.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” të shtunën Kosova do perballet me Çekinë që ka gjashtë pikë, ndërsa ndaj Anglisë luajnë si mysafirë me 10 shtator.  Anglia i prin grupit me gjashtë pikë po ashtu. /21Media