Senatori shkruan për vizitën në Kosovë

Senatori shkruan për vizitën në Kosovë

Në fillim të muajit shtator, në Prishtinë kanë qëndruar për vizitë senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson. Ata kanë pasur takime me përfaqësues politikë në Kosovë dhe tema kyçe për të cilën është biseduar, sipas senatorëve amerikanë, ka qenë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Senatori i ka kushtuar një shkrim të gjatë në platformën online Medium Corporation turneut të tij në Evropë dhe Ballkan, veçanërisht Kosovës. Ai teksa e krahasoi shtetin tonë me Connecticut, një shtet i njohur në Amerikë, tha se Prishtina është një nga qytetet e tij të preferuara në botë.

“Është e dobishme që Prishtina është një nga qytetet e mia të preferuara në botë. Kosova është vendi më i ri në Evropë dhe rrugët janë plot energji dhe gjallëri”, shkroi Murphy.

Tutje ai rrëfeu shëtitjen e tij në sheshin më të njohur të kryeqytetit, teksa vëmendjen e tij e kishte marr një shitës i shtalbave, përcjell rtv21.tv

“Bëra një shëtitje nëpër sheshin kryesor të këmbësorëve. Më intrigoi një stend që shiste diçka të quajtur “shtlab” i cili dukej si misër i skuqur. Bleva një për 50 cent dhe pasi bëra një kafshim kuptova saktësisht pse shtlab nuk është kapur si eksport kosovar (imagjinoni një kallam misri me të vërtetë të përtypur, të djegur pak, kryesisht i papërpunuar … jo i shkëlqyeshëm)”, rrëfeu senatori.

Ai më pas foli edhe për tarifën e fundit 100% që Kosova i vendosi Serbisë për importet.

Më është thënë, ndërsa e përshkoja tregun, se tarifa e fundit 100% që Kosova vendosi kohët e fundit për importet nga Serbia, ka bërë që vendasit të blejnë më shumë mallra nga stenda e tregut vendor. Ambasada jonë na tha se teksa kjo mund të jetë e vërtetë, të dhënat ekonomike thonë se tarifa, që ngjanë e frymëzuar pjesërisht nga magjepsja e Trump me luftërat tregtare, ka dëmtuar keq ekonominë e brishtë të kombit”, shkroi ai.

Një ditë pas shëtitjes së tij nëpër kryeqytet, Murphyit iu bashkua senatori amerikan Ron Johnson. Të dy u takuan me krerët e vendit.

Murphy tha se “udhëheqësit e Kosovës u ankuan për ne se si prishja e raporteve midis SH.B.A. dhe Evropës po ndikonte në sigurinë e tyre. Çështja kryesore si në Serbi ashtu edhe në Kosovë janë negociatat që Serbia të njohë përfundimisht pavarësinë e vendit të tyre të ri fqinj (Serbia ende e konsideron Kosovën pjesë të territorit të vet, edhe pse drejtuesit e saj e dinë që përfundimisht duhet të njohin pavarësinë e Kosovës për të hyrë në BE).

Negociata janë aktualisht në pritje sepse Serbia i pezulloi bisedimet derisa Kosova të pezullojë tarifën e diskutueshme. Udhëheqësit na thonë se këto ditë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa vijnë në Prishtinë dhe u japin atyre këshilla të ndryshme se si ta prishin pezullimin e dialogut, dhe se ata nuk dinë se kënd ta dëgjojnë”.

Murphy beson se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është i gatshëm të bëjë marrëveshje me Kosovën dhe ta njohë pavarësinë e saj, por aktualisht është i zemëruar për taksën.

Ne të dy i bëjmë thirrje që të kthehet në tryzën e bisedimeve sa më parë që të jetë e mundur, ndërsa ai na thotë se do të jetë i gatshëm të bisedojë përsëri sa të hiqet taksa”, tha Murphy në platformën online./21Media